Seanca gjyqësore për çështjen “Sterilizimi”, ku i pandehur është ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, është shtyrë për në datën 15 janar, pasi Beqaj kërkoi më shumë kohë për të dëgjuar regjistrimet audio të seancave dhe krijimin e kushteve për t’i dëgjuar ato në ambientet e burgut.

Në një deklaratë të lexuar në sallën e gjyqit këtë të martë dhe të shpërndarë për mediat, Beqaj thekson se nuk po kërkon privilegj, por respektimin e një të drejte themelore për një mbrojtje efektive.

“Nëse ligji nuk e ndalon, askush nuk ka të drejtë ta ndalojë me ‘zakon’, me ‘urdhër gojor’ apo me frikëra administrative”, shprehet Beqaj, duke kërkuar lejimin e përdorimit të një kompjuteri dhe printeri, pa pajisje komunikimi, për përgatitjen e mbrojtjes.

Ai kritikon institucionet për, siç e quan, “larje duarsh” dhe kthimin e të drejtës së mbrojtjes në një formalitet burokratik.

“Mos e ktheni paraburgimin në verbëri dhe heshtje! Sistemi nuk është askushi. Sistemi jeni ju: institucionet që vendosin dhe që përgjigjen.”

Një pjesë e konsiderueshme e deklaratës i kushtohet kallëzuesit të çështjes, Endri Shabani, i cili sipas Beqajt, paradoksalisht, sot mban postin e Avokatit të Popullit.

Beqaj kujton se kallëzimi penal është bërë më 23 dhjetor 2019, fiks 6 vite më parë, ndërsa sot Shabani renditet mes dëshmitarëve të akuzës.

“Ai që duhet të jetë zëri i qytetarit përballë pushtetit, del në rreshtin e akuzës”, deklaron Beqaj, duke e cilësuar situatën si një paradoks institucional.

Sipas tij, Shabani ka qenë në dijeni se e njëjta çështje ishte hetuar dhe pushuar më parë, por ka depozituar kallëzim të ri pa prova të reja.

“Ky nuk është interes publik. Ky është interes për personin, jo për faktin. Kjo është kulturë prangash”, thekson ish-ministri.

Beqaj shprehet se ironia më e madhe qëndron në faktin se posti i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, sipas tij, është kthyer në një podium politik.

“Posti i mbrojtjes së qytetarit përdoret si podium politik, ndërsa qytetari mbetet pa mjetet minimale për t’u mbrojtur në gjykatë.”

Në fund të deklaratës, Beqaj ndalet edhe te zgjedhja e Avokatit të Popullit në Kuvend, duke ironizuar reagimin e deputetëve.

“Ajo që më habiti nuk ishte vota. Ishte puthja. Puthja me dorë nga larg… Duartrokitje të sinkronizuara, sikur të ishte miratuar ndonjë ligj i rëndësishëm.”

Seanca e radhës për çështjen “Sterilizimi” pritet të zhvillohet më 15 janar, ndërsa kërkesat e Beqajt për kushtet e mbrojtjes mbeten ende për t’u shqyrtuar nga gjykata dhe institucionet përkatëse.