Këshilli Bashkiak Durrës ka tashmë një kryetare dhe një zv/kryetare të re.
Që nga muaji prill, mbledhjet jashtë radhe dhe ato të radhës së parlamentit të qytetit, nuk drejtoheshin më nga kryetari Ani Dyrmishi, për shkak të përfshirjes së tij në garën elektorale të 11 majit dhe më pas për shkak të mos ushtrimit të funksionit si pasojë e marrjes së mandatit të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë.
Për këtë shkak, përgjatë kësaj periudhe mbledhjet janë drejtuar nga zv/kryetarja e komanduar nga grupi i këshilltarëve socialistë Denisa Luarasi.
Ndërkohë, siç njoftoi një ditë më parë “DurrësLajm”, edhe zv/kryetarja e zgjedhur nga opozita Edlira Devolli kishte paraqitur dorëheqjen nga funksioni që në datë 21 korrik.
E ndodhur në këto kushte, sekretarja e Këshillit Bashkiak Dorina Milja iu drejtua pak ditë më parë me një shkresë zyrtare krerëve të grupeve të këshiltarëve duke iu vënë në dukje vakancën e krijuar në drejtimin e këtij organi kolegjial dhe duke iu kërkuar të depozitojnë pranë Sekretarisë së Këshillit propozimin për kandidaturën e Kryetarit të Këshillit dhe të zëvendës kryetarit.
Vakanca në drejtim e KB-së, u bë më e dukshme ditën e martë, kur gjatë mbledhjes kryetarja e komanduar u ndje keq për disa minuta, gjë që i pamundësoi drejtimin e seancës.
Në këto kushte, kreu i grupit të këshilltarëve socialistë, Rolant Xhelilaj propozoi që seanca të drejtohej nga kryetarja e Komisionit të Rregullores dhe Çështjeve Juridike Joniada Musaraj.
Në përfundim të mbledhjes, Xhelilaj propozoi që Këshilli Bashkiak ta mbyllte vitin 2025 me zgjedhjen e drejtuesve të rinj të këtij organi kolegjial, gjë që duket se kapi të papërgatitur opozitën, pasi nuk kishte gati një emër për të propozuar si zv/kryetar të Këshillit nga radhët e tyre.
Në këto kushte, socialistët zgjodhën procedurën me votim të hapur për kryetarin dhe zv/kryetarin e ri të Këshillit që i përket PS-së, duke i lënë kohë opozitës që ta propozonte zv/kryetarin nga radhët e tyre në mbledhjen e parë të vitit 2026.
Socialistët votuan për kryetare të KB, Denisa Luarasin dhe për zv/kryetare Joniada Musaraj.

Me 27 votat pro të këshilltarëve të PS dhe partive aleate, 5 votat kundër dhe 3 abstenime, Luarasi dhe Musaraj do të jenë në vazhdimësi kryetare dhe zv/kryetare e Këshillit Bashkiak.
Vota kundër e opozitës u shpjegua me faktin se ata kërkuan që procedura të zhvillohej me votim të mbyllur dhe jo se kishin kundërshti me emrat e propozuar.
M.B.





