E ndërsa banorët që preken nga projekti TID Durrës protestonin me megafon dhe pankarta në duar kundër atij që e quajnë projekt korruptiv dhe selektv poshtë bashkisë, kryebashkiakja Emiriana Sako përgjigjej në sallën e mbledhjes së Këshilllit Bashkiak lidhur me projektin në fjalë.

“Jemi dakort me pretendimin e qytetarëve, por ka një ligj në fuqi dhe ne jemi institucion vendimmarrës”, e nisi fjalën e saj Sako, ndërsa i përgjigjej interesimit të treguar nga këshilltari Ardian Muka lidhur me fatin e 74 familjeve që preken.

“Ne i kemi miratuar vlerat e shpronësimeve në bazë të ligjit në fuqi për shpronësimin”,- vijoi më tej Sako.

Gjatë shpjegimit të saj, Sako u ndal edhe në propozimin që u është bërë banorëve për t’u bërë pjesë e programeve të strehimit, por edhe ecurinë e dy fazave të zbatimit të projektit.

“Banorëve u kemi propozuar që të bëhen pjesë e programeve të strehimit në rast se kanë vullnetin për ta bërë këtë. Nga ana tjetër mendojmë se ky investim është një shans që ka qendra e qytetit të Durrësit. Ky është një investim të cilin ne do t’ia kërkojmë qeverisë për ta realizuar, pasi preventivi ndahet në dy pjesë.

AADF do të bëjë rikonstruksionin e objekteve ekzistuese dhe shembjen e rindërtimin, që është faza e parë, ndërsa faza e dytë, që prek dhe objektet dhe përfshin rehabilitimin e komplet infastrukturës rrugore dhe hapësirave publike është një fazë që nuk është financuar ende dhe ne do ta kërkojmë atë në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ose në Ministrinë e Turizmit.”,– tha kryebashkiakja e Durrësit.

M.B.