Një plagosje e lehtë me thikë bëhet me dije se ka ndodhur në qytetin e Kavajës, pas një sherri për motive banale mes dy personash.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 10:00, në qytetin e Kavajës, në vendin e quajtur “Agjensia”, në ambientet e një biznesi privat, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. V., 42 vjeç, ka goditur me mjet prerës në dorë shtetasin A. L., 52 vjeç, i cili ka pësuar një dëmtim të lehtë.

Më pas, autori ka dëmtuar xhamat e biznesit në pronësi të shtetasit A. L., si dhe xhamat e një biznesi tjetër aty pranë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autori është përdorues i lëndëve narkotike dhe ka probleme të shëndetit mendor.

Ai është shoqëruar në ambientet e Komisariatit për veprime të mëtejshme procedurale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.