Zjarri përfshiu një magazinë të grumbullimit të bimëve medicinale në Malësinë e Madhe, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në zonën e Bajzës, ndërsa policia e konfirmoi sot me një njoftim të shkurtër.

Mbeten të panjohura shkaqet dhe rrethanat e vatrës së zjarrit, edhe pse paraprakisht dyshohet për shkëndijë elektrike. Po pyetet pronari dhe pritet ekspertimi piroteknik për rastin, nëse ishte aksident apo zjarrvënie e qëllimshme.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, për njoftim fakti, pasi, në një magazinë për grumbullimin e bimëve medicinale, në pronësi të shtetases F. B., 54 vjeçe, ka rënë zjarr ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, bëri me dije policia e Shkodrës sot.

Paraprakisht dyshohet se zjarri ka rënë aksidentalisht, si pasojë e një shkëndije elektrike, por hetimet ende janë aktive.