Një emër që ende mban peshë

Kujtesë që nuk plaket

NGA BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Kur një qytet humb pa e kuptuar

Ka humbje që ndodhin në heshtje, pa sirena, pa bujë, pa tituj gazetash. Janë humbje që nuk tronditin menjëherë, por që lënë pas boshllëk të thellë, i cili kuptohet vetëm me kalimin e viteve. Ikja e Andrea Toles, është pikërisht nga këto humbje. Një burrë 51-vjeçar, në kulmin e pjekurisë profesionale dhe njerëzore, u shua papritur nga infarkti i miokardit, duke lënë pas jo vetëm një familje të plagosur, por edhe një qytet më të varfër në vlera.
Shkrimi nuk është vajtim. Është analizë. Është akt moral. Sepse Andrea Tole nuk ishte pronë vetëm e familjes së tij, por aset moral i Durrësit.

Kur zemra ndalet, por pesha e njeriut mbetet

Andrea Tole ishte nga ata burra, që nuk kërkonin zhurmë, por jepnin drejtim. Nuk ndanin njerëzit, por i bashkonin. Nuk e përdornin pushtetin, por e shërbenin atë. Pas 25-së vitesh nga ndarja e tij e parakohshme nga jeta, emri i Andreas mbetet i pranishëm jo për shkak të posteve që mbajti, por për shkak të vlerave që la pas.

Kjo ese është thirrje e qetë, por e fortë, për të mos harruar se shoqëritë nuk ndërtohen mbi paragjykime, por mbi aftësi, qytetari dhe njerëzi.

Largimi nga jeta i Andrea Toles, atë mbrëmje të 9 shkurtit 2001, nuk ishte thjesht ndalja e një zemre 51 vjeçare. Ishte ndalja brutale e një boshti racional, mbi të cilin qëndronte një familje, një profesion, një qytet që ndoshta pa dashur dhe jo rrallë, nuk di të mbajë peshën e njerëzve të mirë.

Andrea u rrëzua nga divani, në shtëpinë e tij, duke luajtur me fëmijët. Një çast fatal familjar, i ngrohtë, njerëzor dhe pastaj heshtje. Ajo heshtje që nuk pyet për plane, për ndershmëri, për sakrifica. Në atë dysheme u shemb jo vetëm një trup, por një sistem vlerash që ai e kishte mbajtur gjallë me dinjitet.

Prejardhja si themel moral

Andrea Tole lindi më 29 tetor 1950, në një familje ku fjala “kuadër” nuk nënkuptonte privilegj, por barrë përgjegjësie. Babai i tij, Vangjel Tole, ishte drejtues ndërmarrjesh, njeri i urtë, babaxhan, i respektuar jo nga frika, por nga drejtësia.

Kjo frymë u trashëgua. Andrea nuk u rrit për të qenë i zhurmshëm, por i saktë. Nuk u rrit për të sunduar, por për të shërbyer. Ishte fëmija i tretë, pas Dhimitrit dhe Marikës, dhe ndoshta pikërisht ky pozicion i dha atij aftësinë për të vëzhguar, për të dëgjuar dhe për të reflektuar.

Gjimnazi “Qemal Stafa” në Tiranë ishte një filtër i fortë intelektual. Andrea e kaloi atë me rezultate të shkëlqyera në vitin 1968. Universiteti i Tiranës, dega Inxhinieri Mekanike, ku u diplomua në vitin 1973, i dha atij mjetet teknike.

Por ajo që e veçonte Andrean, nuk ishte diploma, por mënyra si e përdorte dijen. Me përulësi, me logjikë, me përgjegjësi shoqërore. Nuk ishte inxhinier i tavolinës, por i mendimit të thellë.

Andrea Tole dhe paragjykimi

Andrea Tole ishte produkt i Durrësit punëtor, teknik, racional, jo i salloneve, por i uzinave, jo i retorikës, por i vizatimit teknik, i skicës, i provës eksperimentale. Durrësi i viteve ’70-të, ’80-të kishte nevojë për njerëz si Andrea. Të qetë, të saktë, të palodhur.
Si inxhinier mekanik, Andrea e lidhi fatin e tij profesional me Durrësin.

Nuk kërkoi Tiranën si strehë karriere, as emigrimin si shpëtim personal. Qëndroi këtu, sepse besonte se dija ka kuptim, vetëm kur i shërben vendit ku je rritur. Por Andrea jo rrallë u paragjykua. Në momente kyçe, Andrea nuk u trajtua si vlerë strategjike, por politike. Dhe kjo nuk ishte gjë e mirë.

Profesioni si mision, inxhinjeria e Andreas

Andrea Tole nuk ishte thjesht inxhinier mekanik, por së pari inxhinier mendimi. Në Uzinën Mekanike Bujqësore (UMB) punoi në byronë teknike, në projektim, eksperimentim dhe prodhim. Ishte nga ata njerëz që nuk kënaqen duke ndjekur skema të gatshme, por kërkojnë të krijojnë të reja.

Prodhimi i autokombajnës së parë, ishte kulm profesional dhe simbolik. Provë se shkenca shqiptare funksiononte kur lihej e lirë. Andrea u vlerësua me titull honorifik, jo si dhuratë, por si njohje e meritës. Inxhinieria për Andrean nuk ishte vetëm llogaritje, por filozofi funksionimi.

Si inxhinier mekanik, Andrea nuk e shihte Durrësin si sfond karriere, por si laborator pune. Çdo projekt, çdo makineri, çdo ide e re që dilte nga Byroja Teknike e Uzinës Mekanike Bujqësore kishte parasysh terrenin shqiptar, fermerin shqiptar, kushtet reale të prodhimit.

Si Kryeinxhinjer dhe drejtor i UMB-së, mbeti organizator, korrekt, i drejtë. Nuk ishte drejtues që sundonte, por drejtues që shpjegonte, që dëgjonte, që bindte. Ky lloj drejtimi nuk bën zhurmë, por lë gjurmë.

Në një sistem që shpesh e shihte shkencën si formalitet, Andrea e trajtoi atë si domosdoshmëri. Punoi në kushte të kufizuara materiale, por me ambicie të pakufizuar intelektuale. Çdo përmirësim teknik, ishte për të fitore e vogël kundër mediokritetit.
Këtu qëndron madhështia e tij profesionale, të krijosh në mungesë, të shpikësh në kufizim, të ndërtosh në një sistem që shpesh nuk e shpërblente mendimin.

Kur sistemi humb njeriun

Andrea u largua nga puna pas ndryshimeve politike, jo për paaftësi, por për etiketim. Këtu ndodh krimi më i madh moral i tranzicionit shqiptar: shkatërrimi i kapitalit njerëzor.

Tre vite pa punë, për një nga inxhinierët më të mirë të Durrësit janë akt dënimi shoqëror. Andrea nuk u përkul, nuk u ankua publikisht. Qëndroi me dinjitet, virtyt që shpesh keqkuptohet si dobësi.
Kur u emërua Kryetar i Qarkut Durrës, tregoi se aftësia nuk zhduket, vetëm shtypet përkohësisht. Kudo kërkohej mendimi i tij. Sepse racionaliteti nuk ka parti.

Andrea dhe pas Andreas lufta e një familje

Andrea u njoh Robertën, mësuese e gjuhës dhe letërsisë, me të cilën u martua më 12 korrik 1987. Ishte martesë e ndërtuar mbi respekt, dialog dhe dashuri të qetë. Në vitin 1989 lindi djali Olvi, ndërsa në vitin 1991 vajza Irisi. Andrea ishte baba i përkushtuar, i pranishëm, ndihmës në detyrat e shkollës, udhërrëfyes në matematikë dhe vizatim teknik jo vetëm për fëmijët e tij, por edhe për shokët e tyre.

Gëzimi i tij i madh ishte suksesi i fëmijëve. Kur Olvi fitoi olimpiadën e matematikës dhe e çoi Durrësin në vendin e dytë në rang kombëtar, Andrea u ndje i plotësuar. Andrea Tole dhe Roberta Vaso Tole përfaqësonin një model familjar të rrallë: dy kuadro të formuar, dy njerëz të dijes, dy karaktere që nuk konkurronin, por plotësonin njëri-tjetrin.

Roberta, mësuese e shkëlqyer e gjuhës dhe letërsisë, vinte nga një familje intelektuale me traditë shtetformuese. Ajo ishte shtylla morale e familjes, veçanërisht pas vdekjes së Andreas.

Në familjen Tole, edukimi nuk ishte fjalë, por praktikë e përditshme. Andrea i mësonte fëmijët të mendonin, Roberta t’u jepte gjuhën për ta shprehur mendimin. Kjo simbiozë prodhoi fëmijë të përgatitur, të disiplinuar dhe konkurrues.

Largimi nga jeta, nuk ishte vetëm humbja i një njeriu, por fillimi i një lufte të gjatë për ata që mbetën. Që nga ai çast, Roberta dhe fëmijët hynë në tjetër jetë. Në jetën pa Andrean, më të rëndë, më të ftohtë, por jo të thyer. Por familja reagoi. Roberta mori vendimin më të vështirë, Amerikën. Jo si arratisje, por si shpëtim për fëmijët.

Amerika rezistencë, akomodim, dinjitet

Amerika nuk ishte ëndërr. Ishte domosdoshmëri. Pas vdekjes së Andreas, përballë mbylljes së dyerve, Roberta e kuptoi se Shqipëria e asaj kohe nuk kishte vend për fëmijë të talentuar me mbiemër të paragjykuar. Vendimi për t’i dërguar Olvin dhe Irisin në Shtetet e Bashkuara ishte akt guximi prindëror, por edhe akt dhimbjeje.

Akomodimi ishte i vështirë. Gjuhë tjetër, kulturë tjetër, mungesë prindi, mungesë sigurie. Por fëmijët e Andreas kishin trashëguar atë që nuk u merr askush, disiplinën, dashurinë për dijen dhe ndjenjën e përgjegjësisë.

Olvi punonte paradite dhe studionte pasdite. Irisi ndërtonte rrugën e saj me të njëjtën këmbëngulje. Atje fëmijët u vlerësuan për aftësitë. Bursa, studime, punë. Olvi inxhinier informatike, ka një djalë me emrin Andrë. I është dhënë edhe titulli arkitekt.

E motra Irisi u diplomua për Grafik Dizajn dhe punon si manaxhere. Që të dy në kompaninë Meijer. Ka lidhur jetën me Lendro Tunën dhe kanë dy djem Andre dhe Alex. Trashigimia e Andres është shndrruar në sukses.

Fëmijët e Andreas dhe Robertës në Amerikë u vlerësuan për atë që ishin, të zotë. Atje ata po ecin përpara, sepse po punojnë, konkurojnë dhe trajtohen si të barabartë.

Suksesi i tyre nuk ishte rastësi. Ishte trashëgimi morale. Ata tani janë profesionistë të vlerësuar, prindër të përkushtuar, qytetarë aktivë. Familjet e tyre janë vazhdim i asaj që Andrea dhe Roberta ndërtuan, shtëpi ku dija dhe puna janë norma.

Rrethi i miqësisë solidariteti që nuk shkruhet me ligje

Në ditët më të errëta, familja Tole nuk ishte vetëm. Miqtë e vërtetë u çfaqën jo me fjalë, por me veprime. Astrit Duçi dhe Kristaq Prifti janë emra që Roberta i përmend me respekt të përjetshëm. Ndihmuan moralisht dhe materialisht. Qenë kohë të vështira. Ishte i nevojshëm qendrimi pranë, për të ndarë dhimbjen, një pikë loti, një situatë delikate që u krijua.

Kristaq Prifti, inxhinier dhe intelektual i njohur, e ka cilësuar Andrean nga inxhinierët mekanikë më të përgatitur të Durrësit, njeri të qetë, racional, të palëkundur në parime. Astrit Duçi e ka përshkruar si drejtues që ndërtonte me njerëz, jo mbi ta. Miq të pandashëm deri në fund me Andrean, mbetën edhe vëllezërit Bajko Astriti dhe Petriti, Agim Buka etj.

Andrea Kryetari i parë i Qarkut të Durrësit

Andrea Tole është Kryetari i parë i Qarkut të Durrësit. Një detyrë e re, komplekse, e lodhshme. Po punonte për përcaktimin e organikës së re, për ndërtimin e strukturave funksionale. Edhe si Kryetar i Qarkut Durrës, Andrea nuk u shndërrua në politikan tipik. Mbeti administrator racional, njeri që dëgjonte ekspertët dhe kërkonte zgjidhje reale.

Atë mbrëmje të 9 shkurtit 2001, pas një mbledhjeje të zgjatur, u kthye në shtëpi i lodhur. Nuk u ankua. Luajti me fëmijët. Pastaj u shtri për t’u shplodhur. Aty mbaroi gjithçka. Ky është paradoksi tragjik. Njeri që mendonte për të ardhmen e institucionit, nuk pati kohë për të jetuar të tijën.

Matje e ndershmërisë

Andrea Tole jetoi pak, por peshoi shumë. Nuk la pas pasuri materiale, por la njerëz të formuar, miq besnikë, vlera të qëndrueshme. Familja e tij e përmbysi dhimbjen në dinjitet. Fëmijët e tij e kthyen përjashtimin në sukses. Roberta e shndërroi humbjen në forcë.

Andrea Tole nuk është thjesht kujtim. Është pasqyrë, sa dimë ne të vlerësojmë njerëzit e aftë. Sa dimë të jemi qytetarë. Përgjigjja ndaj Andreas, është përgjigjja ndaj vetes. Andrea Tole përfaqësonte atë lloj inteligjence të heshtur, që ndërton pa u mburrur dhe reziston pa u ankuar.

Kur emri bëhet peshë dhe vlerë

Ka njerëz që largohen nga jeta dhe zbehen me kalimin e viteve. Dhe ka të tjerë që, sa më shumë kohë kalon, aq më të pranishëm bëhen. Andrea Tole i përket kësaj kategorie të rrallë. Edhe pas 25-së vitesh mungesë fizike, fuqia e emrit të tij ndjehet, sepse ajo nuk buron nga pushteti, por nga vlera.

Andrea ishte bir i një tradite familjare ku puna, korrektësia dhe shërbimi publik ishin normë. Origjina e tij nga Delvina dhe rrënjët e vendosura në Durrës, krijuan atë përzierje të qetë mes mençurisë jugore dhe racionalitetit qytetar durrsak. Durrësi e rriti, e formoi dhe e vuri në prova të vështira. Andrea nuk iu kundërvu qytetit. Vazhdoi ta shërbente edhe kur u keqkuptua prej tij.

Nuk ishte kuadër që luftonte njerëzit, por që ndihmonte, që zgjidhte, që ndërtonte ura. Kujdesej për të tjerët si për veten, sepse e dinte se institucioni nuk është karrige, por përgjegjësi. Kjo e bëri të respektuar nga punëtorët, kolegët, vartësit dhe miqtë.

Në një shoqëri ku shpesh ngatërrohet zhurma me vlerën, Andrea ishte i heshtur. Në një kohë kur ambicia shfaqej me detyrim, ai e shprehte me punë. Dhe pikërisht për këtë arsye, kujtohet jo si figurë e një periudhe politike, por si standard njerëzor dhe profesional.

Familja e tij, është dëshmia më e gjallë e kësaj trashëgimie. Roberta, me dinjitetin e një intelektualeje dhe forcën e një nëne, e mbajti gjallë frymën e Andreas. Fëmijët e tyre, të rritur në mungesë, por të formuar në vlera, e çuan përpara emrin e tij përtej kufijve. Ata nuk u bënë thjesht të suksesshëm, por të dobishëm, të respektuar, qytetarë të respektuar.

Durrësi ka pasur dhe ka shumë figura. Por Andrea Tole mbetet një pikë referimi, sepse ai përfaqëson atë që qyteti prodhon më mirë. Njerëz të heshtur, punëtorë, të ndershëm, që nuk kërkojnë duartrokitje, por japin rezultate.

Njerëz si Andrea, vazhdojnë të punojnë përmes kujtesës tonë. Dhe kjo është forma më e lartë e pwrjetsisw. Andrea Tole mbetet shembull se njeriun nuk e bën politika, por aftësia, nuk e bën posti, por raporti me njerëzit. Jetoi i qetë, punoi ndershëm dhe iku pa zhurmë, por me dinjitet.

Andrea Tole nuk është thjesht kujtim familjar. Është një standard moral. Një masë krahasimi. Një dritë e heshtur, që vazhdon të ndriçojë.

Bujar Qesja
Durrës: 4 janar 2026

.

.