• Kur fjala bëhet rrënjë poezia lulëzon

-Luledielli që mendon toka që dëgjon

BUJAR QESJA
Mjestër i Madh

Heshtja që flet dhe drita që ndriçon

Ka njerëz që janë të pranishëm pa qenë të zhurmshëm. Nuk i sheh gjithmonë në qendër, por i ndien gjithmonë aty. Teuta Dhima është kështu. Prani që nuk kërkon vëmendje, por që e fiton atë me kohë. Karakter që nuk nxiton të flasë, por që di të dëgjojë. Në një botë ku fjala shpesh përdoret për të mbuluar zbrazëtinë, kjo aftësi për të dëgjuar është formë e lartë kulture.

Nuk kërkon skenë, por krijojn hapësirë. Nuk flet për veten, por bukur për librin, për tjetrin, për fjalën. Teuta Dhima i përket asaj race të njerëzve të letrës, që jetën e kanë kthyer në shërbesë të heshtur ndaj kulturës dhe poezisë.

Si njeri, është e përmbajtur, e qartë në mendim, e qëndrueshme në qëndrime. Nuk i pëlqen teprimi, as retorika boshe. Preferon punën e bërë mirë, bisedën e qetë, librin e lexuar deri në fund. Kjo natyrë reflektohet drejtpërdrejtë në gjithçka që ajo bën. Në poezinë, në profesionin, në marrëdhëniet me njerëzit.

Teuta Dhima, nuk është profil i rastit në jetën kulturore të Durrësit. Është produkt i një formimi të gjatë, të kujdesshëm, ku studimet filologjike, bibliotekonomia dhe përvoja shumëvjeçare, janë shkrirë brenda një staturë të rrallë profesionale. Bibliografe me shpirt poeti dhe poete me disiplinë bibliografe.

Në botën e librave ka dy lloje njerëzish. Ata që bëjnë bujë dhe kërkojnë vëmendje dhe ata që punojnë me dritë të brendshme, si rrezet e mëngjesit që depërtojnë butësisht në një dhomë. Teuta Dhima është kjo.

Ky shkrim nuk është thjesht portret, por udhëtim në botën e saj të brendshme dhe të jashtme, ku librat, qyteti dhe fjalët ndërtojnë urë.

Ndërmjet detit dhe fjalës

E lindur në vitin 1975 në Vlorë, qytet i dritës së fortë, i erës së kripur dhe i kujtesës historike, bart që në fillesë përmasë simbolike, lindjen buzë detit. Deti, si hapësirë reale dhe metaforike, do ta ndjekë më pas në gjithë jetën, duke u shndërruar në element të përhershëm shpirtëror, herë si qetësi, herë si ankth, herë si thirrje e brendshme.

Nëse Vlora është pika e parë e dritës, Durrësi është hapësira ku kjo dritë mëson të qëndrojë, të punojë dhe të ndërtojë marrëdhënie. Qyteti i amfiteatrit, i bibliotekës publike, i takimeve me librin dhe lexuesin, bëhet vendi ku Teuta Dhima formëson identitetin profesional dhe letrar.

Nuk është gjithmonë e rëndësishme të dimë, nëse rrënjët janë vlonjate apo nëse jeta e ka çuar natyrshëm drejt Durrësit. E rëndësishmja është, se ajo i ka përvetësuar të dy qytetet si pjesë të së njëjtës frymë detare, si dy brigje që komunikojnë përmes fjalës.

Qetësia që punon

Teuta nuk është e zhurmshme. Qetësia e saj nuk është mungesë energjie, por forma e lartë e karakterit, e cila reflektohet tek poezia, tek puna si bibliografe dhe tek bashkëpunimi me shkrimtarët dhe gazetarët.

Libri për të nuk është dekor, por investim shpirtëror. Nuk kërkon të spikasë. Punon me ngarkesë të brendshme. Në marrëdhëniet me njerëzit, është e përmbajtur, e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë. Nuk vendos mendimin e saj, por di të japë këshillën e duhur në kohën e duhur.

Eshtë energji e përulur, e përqendruar tek çdo detaj, libri që vendoset në raft, lexuesi që kërkon një udhëzim, autori që pret sugjerime. Karakteri i saj reflektohet edhe në krijimtarinë poetike, ndjeshmëri e thellë, refleksion dhe kujdes ndaj çdo fjale.

“Si ta kuptoj këtë varg?” pyeti një lexues i ri.
Teuta buzëqeshi.
“Mos kërko përgjigje të shpejtë. Vargu flet vetë, por kërkon kohë, si toka që pret shiun për të lulëzuar.”

Ky stil i qetë dhe i vëmendshëm, është tipik për të gjithë marrëdhëniet me lexuesit, shkrimtarët dhe kolegët.

Bibliografia që kupton qytetin

Që prej vitit 2007, Teuta Dhima punon në Bibliotekën Publike Durrës, ku është bërë figurë kyçe e jetës kulturore. Biblioteka nuk është thjesht fond librash. Për Teutën, ajo është hapësirë që merr frymë, që rritet dhe transformohet, laborator mendimi ku qyteti, lexuesit dhe librat bashkohen. Ajo krijon një mjedis, ku çdo vizitor ndihet i dëgjuar dhe i udhëzuar, ku libri nuk është objekt, por bashkëbisedues.

Në çdo raf, çdo sallë, çdo takim letrar, Teuta e bën bibliotekën vend ku fryma e qytetit dhe e dijes ndërthuren. Krijon urë midis autorëve dhe lexuesve, duke i udhëhequr dhe duke u dhënë hapësirë të lirë për të shprehur mendimet.

Në bibliotekë dita nuk matet me orë, por me libra të hapur, lexues që hyjnë dhe dalin, pyetje që lindin dhe përgjigje që kërkohen. Teuta lëviz mes rafteve me kujdes dhe respekt. Ajo e di se libri ka nevojë për udhëheqje, jo dominim. Ka krijuar rregull dhe hapësirë për dialog, duke e kthyer bibliotekën qendër qytetare të mendimit dhe dijes.

Në jetën e përditshme profesionale, Teuta Dhima nuk fshihet pas rafteve. Ajo nuk është bibliografe pasive, por prani aktive kulturore. Ajo e di se libri nuk mjafton të ekzistojë. Duhet të qarkullojë, të flitet, të kundërshtohet, të lexohet ndryshe.

Në bibliotekë, krijon rend, por edhe hapësirë për kaos krijues. Aty ku lexuesi kërkon një titull, ajo i sugjeron një ide. Aty ku autori kërkon një mendim, ajo i ofron sinqeritet. Ky është profesionalizëm që nuk mësohet në shkollë, por fitohet me përvojë dhe ndjeshmëri njerëzore.

Klubi i Librit “Gjergj Vlashi” laborator i dialogut

Që prej vitit 2023, Teuta Dhima organizon dhe drejton Klubin e Librit “Gjergj Vlashi”. Ky nuk është thjesht takim lexuesish, por dhe dialog kulturor. Si moderatore, krijon atmosferë besimi dhe respekti, ku lexuesit mësojnë të dëgjojnë, të interpretojnë dhe të shprehin mendimet e tyre lirshëm. Ky klub është model i bashkëpunimit qytetar dhe kulturor, vend ku qyteti dhe librat ndërtojnë histori të përbashkët.

“Çfarë kuptimi ka ky lulediell që mendon?” pyeti një pjesëmarrës.
“Është simbol i dritës që kërkon rrënjët, u përgjigj Teuta. Si ne, që duhet të kemi rrënjët tona për të kuptuar horizontin e lirisë.”

Klubi i Librit “Gjergj Vlashi”, është nga ndihmesat më të qëndrueshme të Teuta Dhimës në jetën kulturore të Durrësit. Klubi nuk është elitist, për të qenë në majë. Është hapësirë ku libri trajtohet me seriozitet, por edhe me dashuri.

Moderatorja Teua Dhima e nxit lexuesin të flasë, të interpretojë, të gabojë pa frikë. Diskutimi nuk është garë, por proçes. Dhe ky proces krijon grupin, krijon frymën. Aty libri nuk lexohet për t’u kaluar, por për t’u ndalur. Aty fjala nuk ndalet, por qarkullon. Aty lexuesi nuk është spektator, por bashkautor i kuptimit.

Është krijuar mjedis ku kultura nuk frikëson, por fton. Ku mendimi kritik nuk është arrogancë, por përgjegjësi. Komunitetet e leximit janë themele afatgjata, jo ngjarje të përkohshme.

Librat e të tjerëve si përgjegjësi morale

Redaktimi, për Teutën, nuk është akt pushteti mbi tekstin, por akt shërbimi. Ajo e di se libri nuk është vend për ego, por për qartësi. Dhe kjo qartësi nuk vjen duke vendosur stilin e saj, por duke ndihmuar autorin të gjejë të vetin.

Është akt miqësie redaktimi i tekstit. Është respekt për autorin, por edhe për lexuesin. Di të ruajë zërin e shkrimtarit, pa e deformuar, duke e pastruar nga “zhurmat” e panevojshme dhe duke i dhënë frymëmarrje.

Si redaktore dhe korrektore për shtëpitë botuese “2M” dhe “Jozef”, ka punuar me romane, poezi dhe ese, ku ka qenë pranë shumë autorëve në momentin më delikat të krijimit, kur dorëshkrimi kërkon dorë të kujdesshme, sy të mprehtë dhe mendje të ndershme.

Shumë libra mbajnë gjurmën e saj, pa e thënë emrin në kopertinë. Dhe kjo është ndoshta forma më e lartë e përulësisë kulturore. Të jesh aty, të ndihmosh, të ndreqësh, të këshillosh pa kërkuar vëmendje.

Udhëheq autorin drejt qartësisë dhe forcës së fjalës. Ky rol e bën Teutën figurë të respektuar në botën letrare, mbështetje për shkrimtarët dhe gazetarët. Nuk e shkurton mendimin, por e pasuron. Nuk e zëvendëson ndjesinë, por e udhëzon.

Luftë e qetë midis librit dhe natyrës

Teuta Dhima, nuk është poete që përshkruan natyrën për zbukurim. Për të, natyra është territor dialogu, herë i ashpër, herë i butë, por gjithmonë kërkues. Në poezinë e saj, toka nuk është peizazh, por qenie. Dielli nuk është dritë, por pyetje. Luledielli nuk është lule, por ndërgjegje.

Ajo “lufton” me natyrën jo për ta nënshtruar, por për ta kuptuar. Dhe kjo luftë nuk bëhet me britma poetike, por me qasje të brendshme, introspektive, ku fjala peshohet para se të shkruhet. Kjo e bën poezinë e saj, të ngjajë me një meditim të zgjatur, ku çdo varg është ndalesë.

Në “Lus tokën”, lutja nuk është fetare. Është etike. Është akt respekti ndaj asaj që na mban, por që ne shpesh e harrojmë. Tokës i flitet si nënës, si burimit, si kujtesës. Kjo poezi ka rrënjë. Dhe rrënjët janë gjithmonë shenjë përgjegjësie. “Lus Tokën” është libër ku fjala ecën zbathur, ku vargu shpesh ngjan me frymëmarrje dhe ku natyra nuk është dekor, por bashkëbiseduese.

Ndërsa në “Përse mendohet një luledielli”, poezia ngrihet nga toka dhe kërkon dritë. Por jo verbërisht. Luledielli i Teutës nuk është naiv. Mendon. Dhe ky “mendim” është akt filozofik, pse kërkojmë dritën? A jemi të lirë në këtë kërkim, apo të kushtëzuar nga natyra jonë?

Këtu poezia bëhet më filozofike, por pa humbur butësinë. Luledielli i Teutës është metaforë e njeriut, që kërkon dritën edhe kur rrënjët janë në tokë të lodhur.

Teuta Dhima dhe etika e shërbimit ndaj librit

Përtej librave dhe punës, Teuta Dhima mbetet prani njerëzore e ngrohtë: shoqe e mirë, bashkëbiseduese e gjallë, njeri që di të dëgjojë. Ajo nuk e përdor kulturën si distancë, por si afrim.

Në të, fjala e bukur nuk është stoli, por mënyrë të jetuari. Mendimi i qartë nuk është arrogancë, por përgjegjësi. Dhe poezia nuk është strehë nga jeta, por mënyrë për ta përballuar atë me dinjitet.
Nëse do të kërkonim një fjalë kyçe, për të përmbledhur figurën e Teuta Dhimës, ajo nuk do të ishte as “poete”, as “bibliografe”, as “moderatore”. Do të ishte fjala shërbim. Jo shërbim formal, jo detyrë zyrtare, por shërbim si bindje e brendshme, si mënyrë të jetuari.

Në çdo rol që ka marrë përsipër, Teuta Dhima nuk ka kërkuar të dallohet, por të jetë e dobishme. Në një realitet ku shpesh kultura përdoret si dekor social, ajo e ka trajtuar librin si përgjegjësi publike. Kjo është arsyeja, pse prania e saj ndihet më shumë në punë konkrete sesa në deklarata.

Si bibliografe, e di se çdo lexues që hyn në bibliotekë, nuk kërkon vetëm një libër, por edhe orientim, mirëkuptim, ndihmë. Dhe di ta japë këtë ndihmë, pa e bërë lexuesin të ndihet i vogël, i paditur apo i përjashtuar. Kjo është cilësi e rrallë profesionale dhe njerëzore.

Bashkëpunimi me kolegët dhe shkrimtarët

Teuta nuk vepron e vetme. Bashkëpunimi me autorët, shkrimtarët, gazetarët dhe kolegët është shembull i lidershipit të heshtur. Krijon hapësirë dhe besim, sugjeron pa diktim, korrigjon pa kritika të padrejta. Çdo detaj në bibliotekë, çdo takim letrar, çdo udhëzim për lexuesit, është manifestim i profesionalizmit dhe kujdesit të saj.

Veprimtaria publiçistike, shtrihet në disa nga gazetat dhe revistat më të njohura kulturore: “Dyrrah”, “Sintagma”, “Fjala”, “Nacional”, “Liberale”, “ExLibris”. Aty çfaqet si lexuese e vëmendshme, si analiste e matur dhe si eseiste, që e përdor fjalën për të ndriçuar.

Secili takim, çdo orjentim dhe çdo redaktim, reflekton profesionalizëm me përulësi, duke bërë që biblioteka dhe komuniteti letrar, të jenë më të pasura dhe më të gjalla. Aftësia e bën figurën e saj të respektuar në botën letrare, udhërrëfyese për shkrimtarët e rinj dhe mike e besueshme për gazetarët që kërkojnë të botojnë. Teuta Dhima, e bën librin të jetë i gjallë në çdo hap.

Poetja, zonja, qytetarja

Teuta Dhima është poete, por edhe zonjë plot grintë dhe mjeshtri komunikimi. Me personalitet, me masë, me ndjenjë përgjegjësie. Nuk e ndan jetën personale, nga ajo profesionale me mure artificiale. I bashkon me etikë.

Si qytetare, kërkon ta çojë punën me librin më tutje. Jo për vete, por për institucionin, për qytetin, për brezat që vijnë. Fort mirë e di, se kultura ndërtohet ngadalë. Dhe është gati të punojë me këtë ngadalësi.

Fjala që rri ndezur edhe kur drita fiket

Në fund të çdo rruge të gjatë me libra, nuk mbetet zhurma, nuk mbeten ftesat, as posterat e veprimtarive. Mbetet vetëm një gjë, gjurma njerëzore. Dhe gjurma e Teuta Dhimës, është e atyre që nuk shihen menjëherë, por që nuk zhduken kurrë.

Dhima nuk e ka jetuar librin si karrierë, por si detyrim moral. Nuk e ka përdorur poezinë për t’u dalluar, por për t’u kuptuar. Dhe nuk e ka ndërtuar praninë e saj kulturore mbi ambicie personale, por mbi ide të thjeshta dhe fisnike, se libri ka nevojë për njerëz që ta mbajnë gjallë çdo ditë, jo vetëm ta shkruajnë.

Në raftet e bibliotekës ku punon, librat nuk janë të heshtur. Ata flasin, sepse dikush i ka zgjuar. Në dorëshkrimet që ka redaktuar, fjala nuk është e vetmuar, sepse dikush e ka shoqëruar me kujdes. Në takimet që ka moderuar, autorët nuk janë të ngrirë në piedestal, sepse dikush ka ditur të pyesë, të dëgjojë, të ndërtojë dialog.

Dhe kur një ditë të numërohen jo vetëm librat e shkruar, por edhe librat e shpëtuar, librat e ndihmuar, librat e çuar te lexuesi, atëherë emri i Teuta Dhimës do të jetë aty, jo si titull i madh, por si prani e domosdoshme.

Teuta Dhima mbetet ajo që ka qenë gjithmonë, mikesha e librit. Jo si slogan, por si mënyrë jetese. Ka ndërtuar shtëpi për fjalën dhe fjala e ka pranuar. Nuk kërkon duartrokitje, por që fjala të arrijë aty ku duhet. Dhe kur fjala arrin, nuk ka më nevojë për autor. Kur fjala bëhet rrënjë, poezia lulëzon. Fjala bëhet shtëpi dhe shtëpia e bën jetën, më të ndritshme dhe më të gjallë. Libri vërtet mbetet në raft, por jeton në njeri.

Teuta Dhima nuk ka kërkuar skenën, por ka zgjedhur të ndërtojë lidhje midis librave, lexuesve dhe qytetit. Në poezinë e saj, i ka dhënë mendim natyrës. Në bibliotekë, i ka dhënë jetë librit. Në qytet, i ka dhënë kostum tërheqës kulturës. Si poete, ka lënë vargje që nuk lodhen. Si bibliografe, ka ndërtuar hapësira që nuk boshatisen. Si bashkëpunëtore, ka krijuar besim. Si moderatore, ka krijuar dialog.

Dhe kjo nuk është pak. Është trashëgimi.

Bujar Qesja
Durrës: 12 janar 2026