Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, ka zhvilluar një takim me strukturat e Policisë Bashkiake, ku ka prezantuar edhe drejtorin e ri të këtij institucioni, Flamur Gjuzin.

Në postimin e saj në rrjetet sociale, Sako shprehet se gjatë takimit u theksua rritja e angazhimit në terren në kuadër të sezonit turistik, si dhe u përcaktuan prioritetet e punës.

Postimi i plotë:

Zhvillova një takim me strukturën e Policisë Bashkiake 👮👮‍♂️ ku prezantova edhe drejtorin e ri të këtij institucioni, Flamur Gjuzi.

Gjatë takimit e vura theksin tek rritja e angazhimit në terren në kuadër të sezonit turistik si dhe përcaktuam prioritetet e punës në vazhdimësi.

Kërkova intensifikimin e kontrolleve për hapësirat publike në zbatim të plotë të VKM-së miratuar së fundmi lidhur me këto hapësira, reagim të menjëhershëm për ndërtimet pa leje, për hapësirat e plazheve publike, ndotjen akustike, mbrojtjen e mjedisit.

Kërkova përkushtim të plotë dhe zbatim rigoroz të ligjit dhe detyrave funksionale, me qëllim ofrimin e një shërbimi sa më cilësor për qytetarët dhe vizitorët.