Në një kohë, kur shumë nga ne përdorin smartphone-t për të realizuar foto nga momentet më të bukura familjare, shoqërore, apo të vendeve që vizitojmë, ai i fton qytetarët që kujtimet e tyre të mos i kenë vetëm si imazhe virtuale, por edhe foto fizike për t’i ruajtur në albume.
Në shëtitoren “Taulantia”, çdo paradite me kohë të mirë, mund të shihni 71-vjeçarin Osman Ahmeti. Me aparatin e tij, që shkrep foto çasti, ai pret klientët.
Duke qenë se është një nga vendet më të frekuentuara të Durrësit, shpesh qytetarët ndalen për një foto, por Osmani thotë se kjo ndodh shumë më rrallë se vite më parë.
“Njerëzit kanë nostalgji për fotografinë e prekshme, sepse tani bëjnë më shumë foto me telefon. Më përpara ka pasur më tepër kërkesa, tani ka rënë pak puna. Nuk ëhstë më ajo punë që ka qenë. Është ekonomia e dobët”.
Por kush janë klientët më të zakonshëm të fotografit 71-vjeçar?
“Më tepër e kërkojnë familjarët, por edhe të rinjtë e të rejat. Vajzat sidomos, por edhe nxënësit e shkollave dhe studentët. Edhe turistëve u kam bërë’,– thotë ai.
Fotografi profesionist, që aparatin e ka pasur pjesë të punës së tij prej 50 vitesh, ndjen keqardhje për faktin se ata që ai i quan “zanatçinj” gjejnë gjithnjë e më pak hapësira për të punuar. Pavarësisht përkushtimit, shpesh i duhet të kthehet në shtëpi pa realizuar asnjë foto.
“Më tepër e kam me pasion, se kam vite që punoj në këtë profesion. Kam 50 vite fotograf. Në sistemin e monizmit punoja me foto bardh e zi, që ky brez nuk e njef. Më vjen keq që nuk preferojnë më zanatçinjtë e vjetër”.
Pasionin për fotografinë, ai vazhdon ta mbartë në zemër, pavarësisht viteve që ikin. Me dashamirësinë dhe zemërgjerësinë që e karakterizon, Osmani na dha edhe neve një kujtim nga kjo intervistë. Një foto e çastit, për ekipin e “DurrësLajm”.
M.B.





