Një ngjarje tronditëse, që shënjoi jetën e saj kur ndodhej në Greqi e shtyu Eva Cacën drejt shkrimit. Dhe sot lexuesit kanë në duar romanin e saj të parë “Anatomia e një vrasëseje”, që tregon me nota realiste historinë e Besmirës, bashkëatdhetares së saj shqiptare, që Eva e njohu në një burg të sigurisë së lartë të vendit fqinjë. Sipas saj, ishte pikërisht tronditja që pësoi nga historia e Besmirës, që e bindi të ulej e të rrëfente gjithë tragjicitetin e një jete, që shoqërohet nga një kalvar dhune dhe abuzimi.
Në mbrëmjen letrare dedikuar promovimit të librit të saj, të organizuar nga Shtëpia e Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës, autorja pati mundësi të diskutonte me lexuesit dhe t’u përgjigjej pyetjeve të tyre për librin. Për shkrimtarin dhe gazetarin durrsak Hasan Shahinaj, romani i Cacës është mjaft interesant dhe lexohet me një frymë.
Promovimi i librit të autores Eva Caca u bë në selinë e degës lokale të Partisë Socialiste, e cila si rrallëherë hapi dyert për dashamirësit e librit.
M.B.





