Një operacion i madh antidrogë është duke u zhvilluar në Athinë të Greqisë, duke çmontuar një rrjet të trafikut të narkotikëve.

Në qendër të goditjes ka qenë një organizatë narkotrafiku greko-shqiptare, që kryente aktivitetin e saj në Kampusin Universitar.

Media greke informon se janë 4 të arrestuar, mes tyre 2 shqiptarë deri tani. Gjithashtu u sekuestruan sasi të mëdha droge dhe parash.

“Aksioni policor nga Nëndrejtoria e Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në Athinë (D.D.EEA/G.A.D.A.) ka filluar që nga mëngjesi i së premtes, për të shkatërruar një organizatë kriminale aktive në trafikun e drogës brenda Kampusit të Universitetit Zografou”, njoftuan autoritetet greke.

Deri më tani janë arrestuar 4 anëtarë të organizatës kriminale, dy grekë dhe dy shqiptarë, të cilët banonin në konviktet studentore të universitetit, ndërsa u sekuestruan sasi kanabisi dhe shuma parash që tejkalonin 20,000 euro.

Sipas informacioneve, trafiku i drogës kryhej në zonën përreth Kampusit të Universitetit Zografou dhe aksioni është ende në proces dhe sipër.