Nga Aleksandër Cangonja

Fiqiri Llagami ishte publicist dhe gazetar. Ai studioi në Universitetin e Sorbonës, në Paris. Pas studimeve u kthye në atdhe për të dhënë kontributin e tij në shtetin e ri shqiptar. Në vitet ’30, Fiqiri Llagami u fut në polemika të ashpra me grupin e gazetarëve të Neo-Shqiptarizmës, si Vangjel Koça, Nebil Çika etj.

Në një polemikë të zjarrtë, Fiqiri shkroi disa faqe dhe mendoi t’i titullonte “Libri i Kritikës”. Në këto faqe ai shprehej se këta gazetarë bënin pjesë në një grup i cili, përveç emrit të Neo-Shqiptarizmës, asgjë tjetër nuk e lidhte me shqiptarët; ata shqiptarët i përçmonin, i ofendonin etj.

Më poshtë, replika e quajtur “Libri i Kritikës”, e transkriptuar nga unë nga dorëshkrimi i Fiqiri Llagamit.

Ishte Minerva, pa u botue ende, pse Nebili ndodhej mahmurë, me gjithë që barkun e kishte të mbushun. Na puqi fati nji ditë, në zyrën e shtypshkronjës Tirana, Z.Z. Dr. Xoxën, Nebil Again dhe mue. Para se të fillonte nji bisedim i gjatë dhe i zjarrët për nji çashtje – ishte fjala për gazetarinë, e cila pati nji fund jo aq të kënaqshëm – drejtori i famshëm i Minervës lajmëronte, me shumë kënaqësi, përgatitjen e revistës, por sidomos përmendte nji artikull të noterit gjinokastrit Vangjel Koço.
“Ai shkruen se shqiptarët përbëjnë nji shoqëri ujqërisht”, thonte Nebili tue fërkue duert, sikur donte të thonte se ky ishte edhe mendimi i tij.
— Mirë, mirë, — iu përgjigja, — gjithnji kësaj daulleje i bjen.
— Po unë të them se nuk duhesh të merresh me polemikë me Vangjelin. Është nji “filosof”, a nuk e din ti?
— Nji i zoti, — foli z. Xoxa, — në sa po shkruente “Tryezën e Bisedimeve” të “Djersës së Popullit”.
— Allahu na ruejtë, — vazhdova. — Pa dyshim qenka nga ata filosofët e vjetër, pse, me sa dijë unë dhe për sa jam informuem, ai as filloren nuk paska mbarue. “Filosof pa fillore”, fort çudi asht në këto kohna, apo jo?
Dhe bisedimi vazhdoi.
Minerva, ndonëse barkun të mbushun e ka, mbas katër muejsh deshti Zoti e doli për predikime dinamikore. Marrë pra lejen e guximin ta vëmë problemin në “Tryezën e Bisedimit”, pse më duket se e meriton.
E themi qysh në fillim: unë nuk e njoh fare personalisht z. Koço, as nuk më ka ba ndonji të keqe; pra nuk kemi ndonji grindje me të që të më japë shkak të shkruej kundra tij. Shkruej atë që ndiej dhe që gjykoj lirisht e shtoj: kam komunikësjonin e plotë se z. Vangjel Koço & Co. nuk asht tjetër veçse nji helmatues për nji popull që nuk e njef. Njargët e tij “filosofike” kanë vetëm nji qëllim: të diskreditojnë.
I mjeri popull! Sot që ka ra në qetësi shembullore, faktor kryesor i përparimit, nuk ndigjon tjetër nga bukuroshet vetqujtun neoshqiptarë veçse akuza e akuzime pa fund: “Ti je nji popull që nuk e çave aspak kokën për indipendencë, ti je pa karakter, pa besë”. Asht ky mendimi i të shumfamshmit “filosof” z. Vangjel Koço dhe i disave nga ata që kujtojnë se “ata duhet të udhëheqin këtë popull në rrugën e humnerës… të qytetërimit deshta me thanë!”
Dhe sot:
“Shqiptarët janë ujqër”, vijon t’akuzojë noteri karagjoz i Gjinokastrës, z. Koço, “filosof i Universitetit të Roskovecit”.
Po pse vallë? Kemi hanger, kemi kafshue ata gjarpij, ata që predikojnë e pretendojnë idealizma? Apo pse kemi durue t’ju tregojmë rrugën nga kanë ardhë e ku andrrojnë e për kë punojnë?
Do të vijë shpejt edhe ajo kohë…
“Janë ujqër shqiptarët”, thotë Vangjeli, e aprovon Nebil Agaj e kompania, sepse na mungoka shpirti mirbamës!
Që të thuesh nji të vërtetë, që t’arrijsh nji qëllim të naltë e ta përcaktosh, kritikat e jo akuzat duhet të bahen me vend. Të thuhet ajo që duhet thanë e jo të paraqitet nji studim superficial.
Predikimet e Vangjelit “filosof” i përngjajnë njargëve të qelbta që vjellin disa predikonjës të sokaqeve, të cilët fryhen si gjela deti për të tregue, p.sh., programin e bolshevikëve leninianë, natyrisht që të fitojnë “qelepirë” edhe nji filxhan kafe!
E pra, mjaft! Maskat poshtë! Ka edhe durimi kufijtë e vet!
Me predikimet t’ueja qesharake, si kufoma pa shpirt, ju njerëz pa ideal veç barkut, ju vagabondë internacionalë, nuk keni tjetër qëllim veçse të shtini helmin e shkatërrimit e të ndasisë, të rrëzoni nji ndërtesë që me mundime e sakrifica asht ndërtue dhe po mbahet, të mbytni nji popull tue e diskredituar para të gjithëve.
Në nji argument aq qesharak, noteri “filosof” i Gjinokastrës vjen të hudhë edhe nji gur të ri kundra popullit tonë: sillet, ku sillet, dhe ma në fund e thotë atë që i thotë zemra intrigante: “Shqiptarët janë nji shoqni ujqësh!”
Pse? Gjen nji argument qesharak për bazë, se natyrisht nuk asht aq budalla sa me akuzue pa pasë nji mbështetje. Qëllimi i vetëm asht të diskreditojë, po jo të kritikojë me qëllim të mirë.
Studjojmë historinë e popujve, shikojmë me vërejtje popujt e sotshëm dhe themi: s’ka popull ma altruist, ma t’urtë e ma të bindun në botë se populli shqiptar. Kemi si shembull, në mes qindra tjerëve, krizën e sotme të tmerrshme. Vetë Sovrani i ynë, në shumë rasa, ka gjetë fjalët ma lavdëruese e ma të prekshme për me thanë se sa trimni, bindje e këmbëngulje po tregon shqiptari në përballimin e këtij tynagi që ka kap për fyti krejt botën dhe Shqipninë.
Në zemrën e vet shqiptarët pyesin: ju që më shani, ju që më thoni se unë nuk e çava kokën për indipendencën, që s’kam karakter as nder dhe që tash jam ujk, po ju pyes: ku e keni hallin? Dhe shpejtoj t’ju përgjigjem me nji herë: jemi njerëz të hurit e të litarit, që sot flejmë në të djathtë, nesër në të majtë, që kurrnji herë s’kemi mendue veçse për xhepin e juej, që punoni për shkatërrimin e jo për të mirën tonë. Ju nuk më njihni aspak, gjykoni qëllimisht vetëm disa dukje, po nuk më hyni në “thellësi”.
Po, shqiptarët durojnë, sepse shohin se Udhëheqësi mendon e kujdesohet për popullin e vet. Ai po përgatit rininë plot ideal, kulturë, shëndet, besnikëri, nder, që të mendojë vetëm për Shqipninë. Hipokritët, dallkaukët s’kanë vend ma. Kritikat me akuzën ndryshojnë si dita me natën: e para ka qëllim përmirësimin, konstruksionin; e dyta diskreditimin e shkatërrimin. Gjithmonë rrugën e dytë ndjek z. Vangjel Koço. Gjen vetëm ndonji argument për ta përdorue ashtu si i intereson. Nuk i hyn aspak në shpirt, nuk e studjon kurrë “themelisht”, pse s’ka as kurajo, as aftësi, as ideal.
Në nji artikull që botoi në numrin dy të revistës “Illyria”, z. Vangjel Koço akuzoi drejt për drejt popullin shqiptar për mungesë patriotizmi, ideali e karakteri. Me anën e “Besës” iu përgjigja tue paraqitë opinionin e nja 20 shkrimtarëve të huej, të cilët, mbas studimeve të tyne t’imta, provonin krejt të kundërtën e shpifjeve të z. Koço. Ky heshti për disa kohë, derisa na del sot me nji akuzë të re, tue i barazue shqiptarët me ujqit.
Nuk duem sot të hyjmë ma thellë, natyrisht për t’u rezervue nji herë tjetër, po themi se nji studim mbi nji çashtje duhet të ketë frymë serioze e jo të merret superficiallisht.
Na thotë z. Vangjeli se ne shqiptarët qenkan ujqër, sepse na mungoka shpirti mirbamës. Po ai që nji gja ta studjonte ma me kujdes e të sillte dobi për çashtjen që po bahet fjalë, padyshim do të gjente se shpirti i shqiptarit, përgjithësisht, ka karakter mirbamës, shumë ma tepër se kombet e tjera. Tashti, pse ndonji pjesë e shqiptarëve janë vetëm materialistë ose ndërtojnë xhami e kisha, kjo nuk formon nji arsye për me i vu shqiptarit mbiemnin “ujk”.
Organizmi i shtetit tonë punon mirë, por asht e ditun dhe e kuptueshme se nuk mundet të përballojë e të kryejë gjithë nevojat e shumta që ka nji komb. Me ba e me krye reforma të mëdha duhen njerëz idealistë. Rrethanat e fatkeqësitë nuk na kanë dhanë sa duhet.
Mirëpo Udhëheqësi i jonë, me largpamësinë e vet, konstatoi se për të mujtë me themelue në Shqipni frymën e re e për të krye reformat, duheshin plotësue dy punë:
a) me shti gjithë tokën shqiptare në disiplinë e qetësi;
b) me formue brezin e ri në nji frymë thjesht kombëtare, ideali i të cilit të jetë, mbi çdo gja, e mira e përgjithshme.
Tashti, për nji minutë, hudhni sytë rreth e rrotull dhe keni me pa, në qoftë se doni të thoni nji të vërtetë krejtësisht të pamohueshme, se Shqipnia asht bam sot vendi ma i qetë në botë. Jeta e njeriut asht e sigurtë. Kur n’Amerikë, që të marrim si shembull nji shtet të qytetnuem, njeriu vidhet mu para syve të policisë ose coptohet me plumba e bomba, këtu ndër ne mund të shkohet natën kurdo e në çdo krahinë e me xhepa plot, por kurrgja nuk ngjan.
Këndova para nja dy-tri ditësh në nji fletore franceze, “Le Journal”, me datën 18 të këtij muji, këto dy lajme, që tashma janë bam fare të zakonshme:
— New York, 17 tetor: Lajmërohet nga Brockton (Massachusetts) se tre hajdutë të armatosun kanë hy, tamam ditën, në zyrën e arkës bashkiake në Bashkinë e Brockton-it. Tue frikësue personelin me anën e revolverëve, ata vodhën 12.811 dollarë, gjithçka përmbante kasa, dhe kanë mujtë me hikë pa qenë të shqetësuem, me nji automobil që i priste aty afër. Asht për t’u shënue se zyra e thesarit të Bashkisë gjindet pikërisht ballë për ballë zyrës së policisë.
Ma poshtë:
— Nji djalë i ri 23-vjeçar, Louis Espirito, djali i nji tregtari të madh të lagjes Bronx, New York, asht rrëmbye nga vjedhësit, të cilët kërkojnë nji shpërblim prej 20.000 dollarësh nën kërcënim vrasjeje.
Por duhet ta përsërisim edhe nji herë: këto ngjarje janë ndër ma të zakonshmet, pse kanë ngja e ngjajnë edhe të tjera ma me randësi. Nji populli që qetësia i asht sigurue, ardhmënia e tij asht plot shpresë. Çdo gja fillon e mbaron nga qetësia.
Problemi i dytë urgjent që kërkohet nga nji burrë shteti asht t’i sigurojë vendit nji rini të flaktë e idealiste, së cilës ka me ia lanë në dorë fatin e kombit. Edhe ky problem, për meritë të inteligjencës së Sovranit e vullnetit të arsimtarëve, u krye me sukses të plotë.
Provohet historikisht se nji komb që nuk ka nji rini idealiste dhe të rritun në nji frymë thjesht kombëtare, për atë ditë të fundit i ka të numrueme.
Asht kjo pra arsyeja që arsimit kombëtar i asht dhanë nji randësi e dorës së parë. Rinija shqiptare po kulturohet kombëtarisht e po dërgohet të plotësojë studimet ndër shkollat e nalta të jashtme. Asht kjo klasë që do të kryejë gjithë reformat qytetnuese e të dobishme për fatbardhësinë e Shqipnisë.
Jemi tue ecë pra simbas nji programi, autori i së cilit, Sovrani, e ka studjue me kujdes të madh. U sigurue nji herë qetësia, që don me thanë mundësia e zhvillimit të nji populli; u sigurue edhe rritja e rinisë me frymë kombëtare e me dëshirën e punës, që don me thanë ardhmëni plot shkëlqim e lumturi për vendin tonë.
Tash për tash, si na e provojnë shumë shembuj, nuk asht e mundun të kryhen, ose kryhen vetëm pjesërisht, shumë reforma që ka nevojë vendi i ynë. Nuk mjafton vetëm me marrë iniciativën. Po s’ka dyshim se gjithë punët do të kryhen prej atyne që po u jepet mundësia të përgatiten mbrenda pak kohe për me marrë në dorë frenat e sundimit dhe përgjegjësitë ma të randa.
Janë prova të shumta që shqiptarët gjithmonë i mirëpresin iniciativat reformuese ose i kuptojnë shpejt dobishmëritë e tyne. Nuk asht faji i shqiptarit nëse vendi i ynë nuk ka mujtë akoma t’i kryejë gjithë reformat që ka nevojë e që janë të dobishme dhe të domosdoshme për t’u krye.
Asht e mundun vallë që reformat e nevojshme të kryhen prej tipave të kallëpit Vangjel Koços e kompania? Sa qesharake edhe me e mendue këtë!
Prandaj asht sa e kotë aq edhe qesharake që edhe Minerva të mbahet si përfaqësuese e klasës së re, siç kuptohet nga artikujt që ka botue deri sot. Asht e mundun që nji Nebil Ciks e kompania e vetqujtun neoshqiptare të jenë këta informuesit e nji ambienti të ri jetese, njerëzit që mund të kryejnë “reforma”?
Asht e mundun që kombi shqiptar ta mbajë shpresën në mendjet gjysmake të Nebilave, Vangjove, Ismetave etj. të këtij kallëpi? Ah, jo! Se këtyne nuk asht e mundun t’u lihet puna në dorë, në qoftë se nuk duen falimentin e plotë e mbarimin e jetës sonë.
Se këta janë të huej me shqiptari dhe s’kanë kulturën e nevojshme. Që ju, Nebil Aga, të pretendoni, ju dhe kompania e vetqujtun neoshqiptare (pse të quheni ju neoshqiptarë nuk kuptohet gjithsesi), me realizue reformat e reja shoqnore për vendin, me themelue jetën e re, frymën e re aq të dobishme për atdheun tonë, asht për t’u çuditë ma së pari për guximin që keni me e mbajtë veten çka s’jeni e s’keni me qenë.
Ju e kompania nuk përfaqësoni kurrgja ideale, kurrgja të mirë e të dobishme për vendin tonë! Ju që deri sot e keni mbushë horizontin shqiptar me lloj-lloj idealesh, tue u paraqitë si apostuj të rinisë, nuk jeni veçse rrecka, mbeturina.
Rrini në heshtje, ju zotni! Nuk asht e mundun që të jeni aq trashanikë e komikë sa mos me kuptue se nuk asht kompania e juej, çuditërisht e vetqujtun neoshqiptare, që do të jetë udhëheqëse për reforma; se reformat, të çdo natyre qofshin, kryhen prej burrave idealistë që, përveç interesit të përgjithshëm, nuk mendojnë tjetër.
Kompania e vetqujtun neoshqiptare, e përbame prej Nebilave, Vangjelve, Brankove, Ismetave, Stefanaqve etj., e cila çdo gja që bahet ose duhet të bahet e gjen të mundun realizimin vetëm kur ata të jenë në krye të punës, pse dinamizmi i tyne ban mrekulli, andrron ndoshta që të marrë nji ditë drejtimin e aparatit qeveritar. Nuk na e kanë tregue si do ta formojnë kabinetin neoshqiptar, por padyshim Nebili do të jetë ministri i mbrendshëm, Branko i Arsimit, Vangjeli i Drejtësisë, Stefanaqi i Financave, Ismeti i Edukatës Morale e i Propagandës…
Mbasi duhen me imitue Don Kishotin e Haxhi Qamilin, s’kemi çka me ju ba. Por duem të mos e përlyejmë rininë me njargët e këtyne, sepse rinia shqiptare, që në heshtje e me vullnet të palëkundur për punë e për të fitue nji kulturë sa ma të gjanë, që mbush shkollat kombëtare e që studjon ose ka mbarue institutet e nalta të Europës, asht ajo, e vetëm ajo, ku mbështetet baza e kombit shqiptar dhe nesër do të marrë në dorë anën shqiptare për ta drejtue kah lumënia, ashtu siç asht programi i Sovranit dhe dëshira e gjithë atdhetarëve.

Aleksandër Cangonja, Durrës 01.02.2026