Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës hapi dyert mbrëmjen e së hënës për ekspozitën e parë “Dy duar, një ëndërr” të dy nxënësve të shkëlqyer të shkollës “Shaqe Mazreku” Mikael dhe Mikea Mhilli.
Pavarësisht se janë ende shumë të rinj, ata janë mjaft të talentuar dhe dëshmia më e qartë e kësaj janë punimet e realizuara me shumë mjeshtëri.
Të prezantuar në këtë ekspozitë me 51 tablo të pikturuara vitet e fundit, vëlla e motër janë mjaft të përkushtuar për ta vijuar gjatë rrugëtimin e tyre në fushën e artit.
Talentin e Mikaelit dhe Mikeas e njeh më së miri mësuesja e pikturës Edmonda Rotani, e cila është prej 4 vitesh udhëheqësja e tyre në fushën e artit.
Motër e vëlla kanë sjellë në këtë ekspozitë të parë një mori tablosh, që shprehin më së miri botën e tyre përmes peisazheve nga qyteti, natyrave të qeta, por edhe pikturave abstrakte.
Në këtë fillim vit, QKF Durrës ka vendosur të hapë për çdo javë dyert e ambienteve të saj për piktorët e vegjël, për t’i dhënë atyre por edhe artdashësve durrsakë një mundësi më shumë për t’u njohur me ata që në të ardhmen mund të marrin stafetën e artistëve të qytetit.
M.B.





