Shtatorin e vitit të kaluar u krijua për herë të parë në Shqipëri i pari Foto Klub i fotografëve, i cili u prezantua në ditët e para të muajit tetor, gjatë ekspozitës së fotografit italian Gianni Bellesia, hapur në Qendrën Kulturore të Fëmijëve Durrës.

Ideja dhe iniciativa u ndërmor nga fotografët e qytetit bregdetar, të cilët krijuan Foto Klub Durrës, që sot numëron më shumë se 50 anëtarë.

Tashmë kur kanë kaluar më shumë se 4 muaj që nga dita e themelimit të tij, 5 nismëtarët Palush Jorgji, Indrit Domi, Mira Prodani, Griseld Hoxha dhe Laert Tahiri janë mbledhur për të shqyrtuar dhe miratuar pikat kryesore të programit të punës për vitin 2026.

Gjatë takimit është votuar unanimisht si drejtues i Foto Klub Durrës Palush Jorgji, i cili do të ketë një mandat 4-vjeçar dhe të drejtë rikandidimi.

Ndërkohë. 4 anëtarët e Bordit Drejtues do të kenë secili funksione të veçanta, që kanë për qëllim zgjerimin e klubit me anëtarë të rinj, forcimin e lidhjeve me Foto Klubet simotra jashtë vendit, organizimin e aktiviteteve kulturore-artistike etj.

Indrit Domi do të jetë koordinator organizativ, Mira Prodani, që është shefe departamenti në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit në UAMD, do të jetë koordinatore me të rinjtë dhe universitetin, fotografi Griseld Hoxha do të jetë koordinator për marrëdhëniet me jashtë dhe partneritetet, ndërsa Laert Tahiri do të jetë koordinator artistik.

Në një prononcim për “DurrësLajm” pas zgjedhjes si drejtues i Foto Klubit fotografi i njohur Palush Jorgji zbuloi ndër të tjera se po punohet për organizimin e Festivalit të Parë të Fotografisë në Durrës, që parashikohet të mbahet gjatë muajit gusht.

Në të njëjtën kohë, fokusi i punës së bordit drejtues do të përqendrohet tek një bashkëpunim i ngushtë me universitetin për aktivizimin e të rinjve në fushën e fotografisë, krijimin e kartave të anëtarësimit dhe modelin e regjistrimit në klub, hartimi i akt-statutit etj.

M.B.