Lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Golem, Policia e Durrësit ka arrestuar 38-vjeçarin që kishte thyer arrestin shtëpiak dhe kunatin e tij, të cilët kundërshtuan me forcë efektivët e policisë.

“Në përfundim të veprimeve të para hetimore, të kryera nga oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë së Durrësit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. B., 38 vjeç, banues në Golem dhe A. Sh., 23 vjeç, banues në Tiranë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë, me qëllim për të shmangur arrestimin e shtetasit A. B., i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.”,
njofton policia e Durrësit.

NGJARJA

Rreth orës 19:10, Patrulla e Përgjithshme e Postës së Policisë Golem, së bashku me Ndihmësspecialistin e zonës, gjatë patrullimit në territor kanë konstatuar shtetasin A. B., 38 vjeç, i cili ndodhej në rrugë i shoqëruar me persona të tjerë. Ai njihej nga Policia si person me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Gjatë verifikimit, punonjësit e Policisë i kanë kërkuar 38-vjeçarit shpjegime për thyerjen e masës së sigurisë dhe e kanë njoftuar se do të shoqërohej në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë për veprime të mëtejshme.

Në këto rrethana, shtetasi A. B., së bashku me kunatin e tij, A. Sh., 23 vjeç, kanë kundërshtuar me forcë shërbimet e Policisë, të ndihmuar edhe nga familjarë të tjerë që ndodheshin në vendngjarje.

Për të neutralizuar situatën dhe për të shpërndarë turmën, Ndihmësspecialisti i Postës së Policisë Golem ka qëlluar një herë në ajër me armën e shërbimit, pistoletë.

Në ndihmë të efektivëve kanë mbërritur edhe shërbime të tjera policore, të cilat kanë bërë të mundur shoqërimin e personave të përfshirë në kundërshtimin e veprimeve të Policisë.