Nga Gëzim KABASHI

35 vjet pas eksodit të madh të marsit 1991 askush nuk e di se sa njerëz janë larguar nga Shqipëria në javën e parë të marsit 1991.

Ndërkohë, janë shumë të pakët ata që organizohen për ta përkujtuar javën e “eksodit biblik” të shqiptarëve, që u larguan nga vendi duke shfrytëzuar anijet e transportit të mallrave nga porti i Durrësit drejt Brindizit, Otrantos dhe Barit.

 Njerëzit që iu ngjitën anijeve shfrytëzuan shumë pak ditë, ndoshta vetëm 100 orë për të ikur nga porti i Durrësit me anijet tregtare që ndodheshin në kalata.

Ishin orët që i dhanë grushtin e fundit diktaturës, për të cilat edhe pas 35 vitesh, vijnë në kujtimet e dëshmitarëve.

Tani shoqata e detarëve “Adrijon” kërkon mbështetje që në hyrje të portit të instalohet një monument kushtuar eksodit të madh me anije, njëlloj rënie e murit të Berlinit për shqiptarët.

Kujtimet e detarëve për marsin ‘91

Bedin Bedini ka punuar gjithë jetën në det. Ai është ndër detarët e vjetër, anëtarë të shoqatës kombëtare detare “Adrijon” që më 6 mars 2026 do të bashkohen në hyrje të portit detar dhe kërkojnë mbështetjen e të gjithë qytetarëve. Durrësi duhet ta kujtojë javën e parë të marsit ‘91, eksodi I 25 mijë bashkëqytetarëve shënoi fillimin e erës demokratike.

“Jeta ka bërë të vetëm dhe nuk jemi më shumë se sa 30-40 kolegë, të cilët në javën e parë të marsit 1991 u vumë në dispozicion të njerezve që kërkonin një jetë më të mirë”.

Bedini nuk do ta harrojë kurrë atë që ka ndodhur natën e 5 marsit 1991. “Isha dezhurn në drejtorinë e flotës kur më lajmëruan që në anijen “Lirija” kishte rënë zjarr. Ishte ora 2 pasmesnate dhe në anijen ku mungonte energjia elektrike kemi hyrë me gazeta të ndezura që i bëmë si pishtarë” kujton Bedini natën e eksodit.

Ngjitur me “Lirinë” në kalatën 3 të portit ishte ankoruar anija “Teuta”, e cila nuk kishte mundur të nisej drejt Italisë. Cimat (litarët) e saj kishin bllokuar elikën, dhe njerëzit që kërkonin të largoheshin ishin të nxehur. “Duheshin qetësuar edhe ata”, dëshmon Bedini.

Ndërkaq në anije filluan të ktheheshin marinarët, një pjesë e të cilëve kishin marrë me vete edhe familjet për t’u larguar. Kapiteni Skënder Laçi, kryemekaniku Vangjel Jani, e marinarët Shpëtim Lala, Mahmut Gjoni dhe Zija Estrefi arritën të vënë në punë kaldajat e anijes. Ndërsa një nga automjetet zjarrfikëse të portit furnizoi me ujë anijen. Motorët u ndezën për nisje”.

“Ishte ora 7 e mëngjesit dhe kuverta e anijes ishte plot me njerëz të moshave të ndryshme, durrsakë, por edhe nga qytete të tjera të vendit. Të rinjtë ishin ngjitur edhe në direkë. Anija “Lirija” u largua nga porti i Durrësit pa shumë vështirësi dhe fatmirësisht, moti ishte i mirë dhe deti i qetë”.

Anija “Lirija” ishte një avullore e prodhuar në vitin 1959, por ta komandoje atë kur në bord ndodheshin mijëra vetë nuk ishte e lehtë. Marinarët lëviznin me shumë vështirësi në mjediset e mbushura plot e përplot. “Dikush nga udhëtarët kishte plasur pa dashje një nga fishekzjarrët e sinjalizimit, duke rrezikuar të shpërthente të gjitha mjetet piroteknike” kujton Bedini, i cili së bashku me një marinar tjetër kanë arritur ta shuajnë në kohë zjarrin.

Mesditën e 6 marsit 1991 nga Durrësi drejt Brindizit ishte nisur edhe anija “Tirana”, një nga më të mëdhatë e flotës sonë tregtare. Mijëra të tjerë na përshëndetën nga bordi i “Tiranës”, e cila lundronte shumë më shpejt drejt portit italian.

Udhëtimi i “Lirisë” drejt Brindizit zgjati gati 20 orë. “Kur arritëm në radën e portit pamë edhe anije të tjera që kishin mbërritur nga Durrësi”, tregon Bedini.

Autoritetet italiane nxituan të lehtësojnë hyrjen në kalatën Shën Apolineri të anijes “Liria”. “Kur anija me gjatësi 97 metra iu afrua kalatës të gjithë kërkuan ta shohin më nga afër “tokën e premtuar”, dëshmon Bedini. “Grazie Italia, Viva Italia” thërrisnin njerëzit, të cilëve diktatura u kishte ndaluar të shikonin qoftë edhe stacionet televizive të vendit fqinj.

“E para që u ankorua në stacionin portual ishte “Lirija”, me një numër të jashtëzakonshëm personash në bord, ndoshta 4000, të cilët e kishin palosur anijen, në një pamje të pabesueshme – shkruhet në librin-album “Brindisi, il porto della speranza”. “Njerëzit hidheshin në tokë duke qarë, duke puthur asfaltin, mbi të gjitha duke kërkuar ujë”, nënvizonin reporterët italianë.

Më pas solidariteti i banorëve të Brindizit ishte i plotë. “Anija qëndroi në Brindizi për gati dy javë para kthimit”, kujton Bedini.

Petraq Konduri në atë kohë ishte drejtor I portit detar dhe kujton anijet me flamur shqiptar të ankoruara në kalata. “Ishin mijra njerëz, të ardhur nga e gjithë Shqipëria që kërkonin të niseshin dhe ne u përpoqëm të sjellim ekuipazhin nga shtëpitë e tyre – thotë Konduri.

Nga partia në pushtet, nuk mungonte presioni politik, që kërkonte mbylljen e daljes së basenit ujor me dragat thelluese. Arritëm ti bindim se ishte një veprim që do të bllokonte anijet tregtare me mallra vendase dhe të huaja, që po përpunoheshin – kujton ish-drejtori i portit, duke shtuar: 35 vjet më parë  ndodhi eksodi më i madh në historinë e Shqipërisë.

Koha e kujtesës 

Ka ardhur koha që qyteti të mbajë një shenjë, që të kujtojë eskodin masiv të marsit 1991.  

Skulptori i njohur durrsak Qazim Kërtusha ka përgatitur prej kohësh një vepër, e cila në ekspozitën e tij morri miratimin e shikuesve, por edhe të arkitektëve dhe urbanistëve.

“Do të jetë një plastikë urbane me përmasa jo të mëdha dhe me një formë elipsoidale-tregoi para disa kohësh Qazim Kërtusha, artisti i njohur i veprave të parkut në qytetin bregdetar. Së bashku me arkitektin Viktor Dhimgjini ata kanë menduar se monumenti me formë moderne, i përgatitur me copa lamierash të montuara me perçina do të ketë në mes elementë që të kujtojnë ditët e marsit 1991.

Gjurmë këpucësh të prera, litarë të varur me nyje që presupozojnë ngjitjen dhe që kanë mbetur bosh, një këmbanë e vogël, që tringëllin sa herë që poshtë kalon një kalimtar. “Duket sikur thotë “Unë u ktheva”, njëlloj siç do të jetë shkruar sipër, atje ku do të marrë dritë monumenti-shpjegon idenë e tij Kërtusha.

Do të jetë një simbol kundër diktaturës, por edhe një shpresë e madhe për jetën dhe për rikthimin, kështu siç po ndodh gjithnjë e më tepër-thotë skulptori Qazim Kërtusha.

Në shëtitoren bregdetare apo në sheshin e trageteve një vepër që rikujton përpjekjet e shqiptarëve për të gjetur lirinë do të ishte më tepër se një shenjë kujtese. Një monument për eksodin do të ishte një shenjë respekti për veten dhe për historinë tonë.

 Emergjenca 1991
Brenda 30 orësh në portin e Brindizit janë ankoruar 24 mjete lundruese, me një numër të jashtëzakonshëm njerëzish.

Brindizi 6 mars 1991
Motopeshkatorja    “Panajot Papa”      141 vetë
Anija                     “Alba”                  600 vetë
Motopeshkatorja    “Ibrahim”              273 vetë
Motopeshkatorja    “Fadil Dauti”         35 vetë

7 mars 1991
Anija                     “Lirija”                  4000 vetë
Anija                     “Kallmi”                1000 vetë
Anija                     “Tirana”                3000 vetë
Anija                     “Apollonia”           300 vetë
Anija                     “Gj. Sokoli”          300 vetë
Motopeshkatorja    “Zagri”                  100 vetë
Motopeshkatorja    “Kepi i Rodonit”   150 vetë
Motopeshkatorja    “Mitat Dauti”         100 vetë
Motopeshkatorja    “26 marsi”             15 vetë
Anija “Inxh. Ilia Plasa”    150 vetë
Anija                     “Legend”              5000 vetë
Anija                     “Sazani”                400 vetë
Anija                     “Butrinti”               500 vetë
(Të dhënat nga libri-album  “Brindizi, il porto della speranza” Mario Ada Editore 2006)