Një operacion i gjerë kundër trafikut të drogës ka çuar në arrestimin e 26 personave dhe sekuestrimin e qindra kilogramëve lëndë narkotike.
Aksioni, i koduar “Bremen”, u zhvillua pas një hetimi 20-mujor dhe synoi një strukturë kriminale të lidhur me mafien shqiptare dhe grupin e krimit të organizuar “Los Lagartos”.
Sipas mediave të huaja në kuadër të operacionit u kryen 20 kontrolle në disa provinca të vendit, konkretisht në Guayas, Los Ríos, Manabí dhe Chimborazo.
Si rezultat i ndërhyrjeve u arrestuan 26 persona, ndërsa u sekuestruan rreth 300 kilogramë drogë dhe pesë automjete luksoze.
Sipas autoriteteve, hetimi kishte nisur pas zbulimit në vitin 2024 të një sasie prej 1.1 ton drogë të fshehur në material aurifer, pra materiale me përmbajtje ari.
Zbulimi i kësaj ngarkese çoi në thellimin e hetimeve, të cilat më vonë mundësuan edhe sekuestrimin e rreth 2.5 tonëve të tjerë drogë.
Sipas vlerësimeve zyrtare, droga e sekuestruar përfaqëson një humbje ekonomike prej më shumë se 68 milionë dollarësh për organizatat kriminale.
Nga hetimet rezulton se banda operonte përgjatë gjithë zinxhirit logjistik të transportit të mallrave. Anëtarët e saj rekrutonin persona të lidhur me portet, sigurinë private dhe transportuesit për të lehtësuar nxjerrjen e drogës jashtë vendit.
Ngarkesat e paligjshme fshiheshin në kontejnerë që transportonin material aurifer dhe banane.
Në disa raste droga vendosej para hyrjes së kontejnerëve në port, ndërsa në raste të tjera kontaminohej ngarkesa ose struktura e brendshme e kontejnerëve gjatë transportit.





