Nga BUJAR QESJA

Ka ngjarje që nuk janë vetëm ceremoni. Ato janë momente që të ndalin frymën, të mbushin sytë me mall dhe të kujtojnë, se njerëzit e mirë nuk largohen kurrë plotësisht nga kjo botë. Ata mbeten në kujtesë, në veprat që lanë pas, në dashurinë e familjes dhe në respektin e shoqërisë.

Një moment i tillë, ishte përurimi i bustit të biznesmenit të njohur durrsak Artur Bujari, i vendosur në ambientet e biznesit të tij Buna shpk, në Shkozet të Durrësit. Dy vite pas ndarjes nga jeta, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të vështirë, miqtë, familjarët dhe bashkëpunëtorët, u mblodhën në një akt mirënjohjeje dhe respekti për njeriun që i dha shumë qytetit të tij.

Ishte një ceremoni e ngrohtë, por edhe e mbushur me emocione. Në atë oborr ku dikur dëgjohej zëri i Arturit, ku ai priste miq dhe bashkëpunëtorë, ku ndërtonte plane dhe ëndrra për të ardhmen, tashmë qëndron busti i tij në bronz. Një vepër e realizuar me mjeshtëri nga skulptori i njohur Idriz Ballani, i cili ka dëshmuar edhe njëherë, se arti mund të bëhet ura që lidh kujtesën me përjetësinë.

Bustit i ishte dhënë një vend simbolik, në zemër të biznesit që Artur Bujari ndërtoi me mund, përkushtim dhe vizion. Dhe kjo nuk është thjeshtë një statujë. Është një prani. Është një kujtesë e gjallë, që çdo ditë do t’u flasë atyre që kalojnë në këtë biznes për njeriun që e krijoi.

Një jetë e lidhur me qytetin

Artur Bujari ishte nga ata njerëz, që nuk e shihnin suksesin vetëm si pasuri personale. E shikonte atë si një mundësi për të ndërtuar, për të krijuar dhe për të ndihmuar. Ishte një qytetar, që i qëndroi gjithmonë pranë qytetit të tij, Durrësit, duke ndihmuar me punë dhe investime.

Me përkushtim ngriti biznesin Buna shpk, sipërmarrje që u bë emër i njohur në qytet dhe më gjerë. Më pas, me të njëjtën dashuri për jetën dhe natyrën, krijoi edhe një tjetër projekt të rëndësishëm, “Pema e Jetës”, simbol që në vetvete përmbledh filozofinë e tij: rritjen, vazhdimësinë dhe besimin tek e ardhmja.

Për Arturin, biznesi nuk ishte vetëm fitim. Ishte formë përgjegjësie ndaj njerëzve, që punonin me të dhe ndaj komunitetit ku jetonte. Ishte nga ata sipërmarrës, që ndërtonte marrëdhënie njerëzore përpara se të ndërtonte kontrata.

Kush e njohu nga afër, e kujton për buzëqeshjen e tij të qetë, për mënyrën e drejtë të të folurit dhe për gatishmërinë për të ndihmuar. Ishte njeri i komunikueshëm, i hapur dhe i respektuar.

Ceremoni që bashkoi njerëzit

Përurimi i bustit, u shndërrua në një moment të veçantë bashkimi. Në këtë ceremoni morën pjesë familjarë, miq të shumtë, bashkëpunëtorë dhe qytetarë, që e kishin njohur dhe respektuar Artur Bujarin.

Mes të pranishmëve ishte edhe deputetja e Durrësit dhe nënkryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, kardiologia e njohur Klodiana Spahiu, e cila ndau fjalë vlerësimi për figurën e biznesmenit durrsak dhe për rolin e tij në jetën ekonomike dhe shoqërore të qytetit. Por mbi të gjitha, kjo ishte një ditë e familjes së tij.

Në krah të bustit qëndronte bashkëshortja Teodora, me një dinjitet të qetë dhe me atë mall që vetëm një bashkëshorte mund ta ndjejë, për njeriun me të cilin ka ndarë jetën. Pranë saj ishin fëmijët: djali Dorarti, vajzat Ajvi dhe Valeria.

Në sytë e tyre lexohej krenaria, por edhe një ndjenjë e thellë përgjegjësie. Përgjegjësia për të ruajtur emrin, kujtimin dhe vlerat e babait të tyre. Sepse kjo ceremoni nuk ishte vetëm një përkujtim. Ishte një premtim për vazhdimësi.

Arti që i jep jetë kujtesës

Skulptori Idriz Ballani, emër i njohur në artin shqiptar të skulpturës monumentale, ka realizuar një vepër që shkon përtej portretit fizik. Bustit i është dhënë një shprehje e qetë, e menduar, sikur Artur Bujari vazhdon të vështrojë përreth, me po atë vëmendje që kishte në jetën e tij.

Bronzi ka një cilësi të veçantë, sfidon kohën. Dhe kështu, në atë hapësirë ku dikur Arturi ecte çdo ditë, ku përshëndeste punonjësit dhe priste miq, tani do të qëndrojë përherë prania e tij simbolike. Çdo mëngjes që hapet porta e biznesit, çdo hap që bëhet në atë oborr, do të kalojë pranë bustit të tij.

Dhe njerëzit do të ndalen për një moment. Do ta kujtojnë.

Mirënjohja që nuk shuhet

Shoqëria njerëzore, ka një mënyrë të bukur për të nderuar ata që kanë bërë mirë, mirënjohjen. Bustet, pllakat përkujtimore, librat apo ceremonitë, janë vetëm forma. Në thelb është dashuria dhe respekti, që njerëzit ruajnë për dikë që ka lënë gjurmë.

Në këtë kuptim, busti i Artur Bujarit është më shumë se një monument. Është një simbol i trashëgimisë së tij njerëzore. Flet për një jetë të jetuar me dinjitet. Për një njeri që e deshi qytetin e tij dhe që u përpoq të ndërtonte diçka të mirë për të tjerët.

Dhe pikërisht këtu qëndron vlera e vërtetë e kësaj ceremonie, në kujtesën kolektive që nuk lejon të harrohen njerëzit e mirë.

Një prani që mbetet

Ka njerëz që edhe kur largohen fizikisht, mbeten të pranishëm në çdo vend që kanë prekur me shpirtin e tyre. Artur Bujari është një nga ata. Në atë oborr të biznesit të tij, në mes të njerëzve që e njohën dhe e respektuan, në sytë e familjes që e deshi pa masë, ai do të jetë gjithmonë aty.

Bustit i tij, nuk është një simbol i heshtur. Është kujtesë që flet. Flet për punën, për përkushtimin, për dashurinë ndaj familjes dhe qytetit. Dhe kështu, në bronzin e përjetësisë, në zemër të biznesit që krijoi, Artur Bujari nuk është vetëm një kujtim.

Ai është një prani. Ai është një histori që vazhdon. Ai është ringjallje në kujtesën e njerëzve.