Në podcast-in “Flasim”, Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te siguria kibernetike.
Duke cituar një raport ndërkombëtar për lirinë në botë të Freedom House, Rama shprehet se Shqipëria ndodhet më lartë se Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Serbia.
“Shqipëria mori një vlerësim pozitiv nga raporti i mirënjohur i Freedom House, i cili është një raport ndërkombëtar për lirinë në botë – Liria në botë 2026, ishte raporti i këtij viti.
Dhe është një zhvillim që ia vlen të përmendet, edhe pse unë të gjitha raportet, përveç atij të Komisionit Europian, të cilin e marr 100% të mirëqenë, i marr me një farë rezerve, pasi bazohen në metodologji dhe në rrugë anketimi, që jo gjithmonë janë të qëndrueshme.
Gjithsesi, ky është një ndër ato raporte që meriton vëmendje dhe i cili respektohet përgjithësisht. Kështu që, sipas këtij raporti, vendi ynë ka shënuar, jo vetëm një përmirësim në raport me më parë, por është renditur si vendi më i vlerësuar në rajon për shkallën e lirisë. Dhe ky rezultat na vendos në krye, përpara Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Serbisë, duke reflektuar edhe një progres në raport me rajonin.
Ndërkohë që, edhe në aspektin e të drejtave politike dhe funksionimit të institucioneve, progresi është i dukshëm, ashtu siç vlerësohen edhe përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe në transformimin e sistemit të drejtësisë. Por, ajo që e bën këtë rezultat më domethënës është fakti se kjo vjen në një kohë kur në nivel global liria dhe demokracia janë nën presion dhe në rënie në shumë vende të botës”, u shpreh Kryeministri.
Rama gjithashtu u ndal edhe te një raport tjetër, që e vendos Shqipërinë në dhjetëshen e parë për sigurinë kibernetike, duke kujtuar sulmet e Iranit disa vite më parë dhe duke thënë se tani, Irani po bën sulme të tjera kibernetike, por kësaj radhe, pa sukses.
“Edhe pse unë nuk jam një tifoz i flaktë i raporteve, e thashë edhe më parë, e dinë të gjithë, gjithsesi, kjo është një ditë shënimesh, ku jo një, po dy raporte zënë vend.
Dhe ky i dyti është me një vlerë të veçantë në ditët e sotme, pasi është raporti për sigurinë kibernetike dhe për ne, kjo ka një rëndësi të veçantë, sepse ne jemi në fokusin e një armiku, që na sulmoi në mënyrë të pamëshirshme, disa vite më parë, duke na gjetur, jo plotësisht të përgatitur, po pa mundur të na bëjë dëmin që parashikonte dhe na sulmon përditë, po tanimë, pa asnjë sukses apo me ndonjë gërvishtje të lehtë fare, siç ndodhi me disa materiale, krejt pa asnjë rëndësi të Kuvendit të Shqipërisë, edhe për shkak se sistemi i Kuvendit nuk është ende plotësisht i integruar në sistemin tonë të mbrojtjes.
Sipas këtij indeksi ndërkombëtar, Shqipëria renditet në dhjetëshen e parë. Tani kështu është dhe hyn në një grup shumë të kufizuar vendesh me performancë të lartë në këtë fushë dhe në këtë rast, kjo përkon plotësisht me testimet e sistemit tonë mbrojtjes”, tha Rama.





