Partia Demokratike ka reaguar lidhur me largimin nga puna të gazetarit Ilir Babaramo, duke e cilësuar këtë si një “goditje ndaj gazetarisë së lirë”.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja Floriana Garo akuzon kryeministrin Edi Rama dhe botuesin Carlo Bolino, se kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë vendim, duke ushtruar presion politik ndaj mediave.
Sipas saj, gazetari Babaramo, i njohur për një karrierë të gjatë në shtypin e shkruar dhe televizion, është larguar nga puna jo për arsye profesionale apo etike, por për shkak të qëndrimeve të tij kritike ndaj qeverisë.
Në deklaratë thuhet se vendimi i është komunikuar personalisht nga Bolino, me argumentin se në televizionin e tij nuk mund të punojë një gazetar që kundërshton qeverinë.
“Botuesi Carlo Bolino e ka marrë në telefon duke i thënë se nuk mund të punojë në televizionin e tij një gazetar që i kundërvihet qeverisë. Asnjë justifikim, qoftë edhe formal, asnjë fshehje e motivit, thjesht brutalitet”, shprehet ajo.
PD rikujton gjithashtu një episod ku kryeministri Rama u largua nga studio gjatë një interviste me Babaramon. Sipas opozitës, pas këtij momenti gazetari humbi edhe hapësirën kryesore në “prime time”.
“Sa për kujtesë: në një rast të ndodhur në sytë e publikut, Edi Rama është larguar demonstrativisht nga studio e Ilir Babaramos gjatë një interviste. Pak kohë më pas, gazetari veteran e humbi vendin kryesor në Bolino–Rama TV, në fashën prime time, duke u zëvendësuar nga një gazetare shumë e afërt me qeverinë”, u shpreh Garo.
DEKLARATË PËR MEDIA ZËDHËNËSJA E PD, FLORIANA GARO
Edi Rama, nëpërmjet mashës së tij mediatike Carlo Bolino, i ka dhënë një tjetër goditje profesionit të gazetarisë së lirë, duke pushuar nga puna Ilir Babaramo.
Një prej gazetarëve veteranë të shtypit të shkruar dhe televizionit, me një kontribut të gjatë dhe të çmuar në raportim dhe polemikë, e gjen sot veten pa punë. Arsyeja, siç dëshmon gazetari, nuk ka të bëjë me shkelje të etikës në punë. Jo! Botuesi Carlo Bolino e ka marrë në telefon duke i thënë se nuk mund të punojë në televizionin e tij një gazetar që i kundërvihet qeverisë. Asnjë justifikim, qoftë edhe formal, asnjë fshehje e motivit, thjesht brutalitet.
Sa për kujtesë: në një rast të ndodhur në sytë e publikut, Edi Rama është larguar demonstrativisht nga studio e Ilir Babaramos gjatë një interviste.
Pak kohë më pas, gazetari veteran e humbi vendin kryesor në Bolino–Rama TV, në fashën prime time, duke u zëvendësuar nga një gazetare shumë e afërt me qeverinë.
Tani Carlo Bolino, me urdhër të Edi Ramës, i ka dhënë goditjen e fundit dhe përfundimtare Babaramos, duke u bërë shenjë edhe të tjerëve në median e tij se çfarë mund të thonë dhe çfarë jo.
Partia Demokratike e Shqipërisë e dënon me ashpërsi largimin nga puna të gazetarit Babaramo dhe i shpreh solidaritetin atij dhe komunitetit të gazetarëve.
Ne u bëjmë thirrje organizatave të medias, të vendit apo të huaja, dhe çdo aktori tjetër që thotë se shqetësohet për lirinë e medias dhe të shprehjes në Shqipëri, që të reagojnë me forcë.
Shqipëria është kthyer në autokraci elektorale, siç dëshmon studimi i Institutit V-Dem, por nuk mund të lejohet që të shndërrohet edhe në diktaturë mediatike, ku pranohet vetëm një zë, një qëndrim dhe një ide: ajo e Edi Ramës.
Në fund, ne shprehim keqardhjen për shndërrimin final të Report TV dhe medias së Carlo Bolinos në një kanal të ujërave të zeza të pushtetit të Edi Ramës.
Sa keq që shkolla italiane e gazetarisë përfundon në një gjiriz të autokracisë ballkanike.





