Dalin në dritë detaje të reja nga seanca e dytë në themel e kësaj së marte në GJKKO, ku janë lexuar dokumente zyrtare që hedhin poshtë pretendimet e mëparshme të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës Erion Veliaj, se aktet e SPAK-ut i janë dorëzuar pa procesverbal dhe se oficerët e policisë janë treguar arrogantë ndaj tij.

Këtë të martë, prokurorët e SPAK-ut, Altin Dumani dhe Ols Dado, kanë lexuar në seancë procesverbalin që është mbajtur në momentin që kanë shkuar oficerët e BKH-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për t’i dorëzuar aktet Erion Veliajt në burg.

Sipas procesverbalit të mbajtur nga oficerët e Policisë Gjyqësore, kryebashkiaku i Tiranës është përfshirë në një incident të rëndë verbal me përfaqësuesit e ligjit në momentin që i janë dorëzuar aktet.

Në dokumentin e firmosur nga oficerët e BKH-së dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve theksohet se Veliaj ka përdorur një gjuhë kërcënuese, fyese dhe rrugaçërore ndaj tyre në momentin e dorëzimit të akteve. Ndër shprehjet e dokumentuara, që konsiderohen si kanosje ndaj zyrtarëve në detyrë është edhe përdorimi i fjalës fyese “pis” drejtuar njërit prej oficerëve, Samet Gurguri.

Po ashtu kërcënimi i hapur me fjalët “ty dhe prokurorëve nuk jua fal”, teksa ky nuk është rasti i parë i kërcënimeve ndaj Gurgurit. 

Edhe pse Veliaj kishte pretenduar më parë se dokumentet i ishin dorëzuar pa një procesverbal të rregullt, provat e administruara nga prokurorët e SPAK-ut, Altin Dumani dhe Olsi Dado, dëshmojnë të kundërtën.

Raportohet se Veliaj ka refuzuar fillimisht marrjen e materialeve me qëllim që të shkaktonte vonesa artificiale dhe të shtynte seancën gjyqësore. Përballë këtij refuzimi, oficerët i kanë depozituar dokumentet në paraburgimin e Durrësit, ku Veliaj i ka tërhequr ato më vonë.

Kjo sjellje vjen në një kohë kur avokatët e tij i kishin administruar provat dhe aktet e hetimit prej të paktën 7 muajsh. Reagimi agresiv i Erion Veliajt shihet si një përpjekje për të vepruar sikur është ende në zyrën e kryetarit të bashkisë dhe mund të bëjë çfarë të dojë, duke tentuar të intimidojë oficerët që zbatojnë urdhrat e gjykatës. /CNA