Ministri i Financave, Petrit Malaj, mori pjesë në Bruksel si folës në panelin e nivelit të lartë “Zgjerimi dhe zhvillimi: Çfarë na diktojnë shifrat”, aktivitet i drejtuar nga Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos. Gjatë fjalës së tij, Malaj prezantoi progresin e qëndrueshëm që po bën Shqipëria në drejtim të konvergjencës me Bashkimin Europian, duke theksuar se ekonomia shqiptare po shfaq një performancë gjithnjë e më solide.

Sipas tij, rritja ekonomike mbi mesataren, ulja graduale e borxhit publik, shtimi i investimeve dhe transformimi strukturor janë tregues të qartë të një ekonomie më konkurruese dhe më rezistente ndaj sfidave globale.

“Kuadri fiskal që ndërtojmë sot do të formësojë të ardhmen e Shqipërisë për dekadat e ardhshme. Ai përcakton aftësinë tonë për të investuar në kapitalin njerëzor, për të mbështetur bizneset konkurruese, për të ndërtuar infrastrukturë të fortë, për të siguruar pensione dinjitoze dhe për të rritur qëndrueshmërinë ndaj rreziqeve klimatike dhe fatkeqësive natyrore. Ne kemi bërë përparime të rëndësishme, por mbetet ende shumë punë”, u shpreh Malaj.