Ish-deputet i PS-së, Plarent Ndreca u legjitimua ditën e djeshme nga GJKKO si avokat i Erion Veliajt. Gjatë një interviste televizive, Ndreca ka deklaruar se nuk është marrë kurrë në pyetje nga SPAK gjatë hetimit në lidhje me dosjen e Veliajt. Ai tha se nuk është në një konflikt interesi me çështjen dhe se procesi duhet të garantojë mbrojtje efektive.
Avokati tha se vendimi për të përfaqësuar Veliajn në gjykatë, ishte vendim i duhur ligjor pasi njihen me të si bashkëpunëtor politik. Sipas tij, vendimi për të mbuluar procesin e çështjes së Veliajt ishte marrë dy javë më parë, ndërsa shpjegoi se dje nuk u zhvillua procesi, për shkak të mosprezencës së të dy palëve të tjera.
Në fund, ish-deputeti socialist foli edhe për gjendjen e Veliajt. Në lidhje me këtë, Ndreca tha se Veliaj është në gjendje të mirë, i qartë dhe i vendosur për t’u përballur me këtë betejë.
“Ishte vendim i duhur ligjor, pasi kërkesa e prokurorëve ishte e pabazuar, pasi nuk kisha dështuar për këtë çështje. Nuk kishte konflikt interesi. Jo nuk ishte lajm sekret, por as për t’u bërë publike. Ne njihemi si bashkëpunëtor politik, ishte vendimmarrje e natyrshme. U kërkua nga zoti Veliaj. Ka qenë një proces i vijueshëm, por nuk di të them se kur u kërkua. Kam qenë dhe më herët avokat i zotit Veliaj.
Vendimmarrja ishte para 2 javësh që unë të mbuloj procesin e çështjes në themel. Dje nuk u zhvillua procesi, për shkak të mosprezencës së të dy palëve të tjera. Unë jam ende i panjohur me aktet. Dhe zoti Veliaj nuk është njohur mirë me aktet. Nuk duhet të ngelet një proces formal, ku nuk garantohet ashtu siç e përcakton kushtetuta, që personi nën akuzë duhet të ketë kohë për t’u mbrojtur në mënyrë efektive.
Gjendja e zotit Veliaj është shumë e mirë. Është i qartë, i kthjellët. Nuk është situatë normale, është situatë që kushdo e përjeton jo mirë. Për më tepër një politikan dhe kryeqytetari i qytetit tonë. Por zoti Veliaj është i qartë me situatat dhe është i bindur dhe i vendosur për t’u përballur me këtë betejë.”, tha ai.





