Ministri i Kulturës Blendi Gonxhja, në një konferencë për mediet sot në 27 mars, foli më shumë në lidhje me rolin e institucioneve kulturore në vend.

Gonxhja u shpreh se qeveria shqiptare po bën çdo gjë që institucionet artistike të fuqizohen. Ai shtoi se kemi rritje të biletave në institucione kulturore, pasi interesi qytetar është gjithashtu në rritje.

“Duhet të kemi institucione artistike të fuqizuara. Pjesëmarrja e publikut në programe artistike ka shënuar një rritje. Numri i biletave të shitura për programe artistike ka pasur gjithashtu një rritje me 57 përqind, për programe artistike. Ka një rritje të të ardhurave me 69 përqind ose me mbi 50 milionë lekë”, tha ministri.

Gonxhja nënvizoi se ka më tepër sot vizitorë në Teatrin Kombëtar. Po ashtu, interes nga qytetarët ka edhe për shfaqjet e fëmijëve dhe Cirkun.

“Sot ka më shumë vizitorë në Teatrin Kombëtar. Edhe Teatri Eksperimental ka një rritje të biletave të shitura. Ka pasur interes të shtuar edhe për Teatrin e Fëmijëve. Edhe Cirku i Tiranës ka pasur një rritje të kërkesave për të parë shfaqje”, deklaroi ai.

Po ashtu, Gonxhja vlerësoi se Ministria e Kulturës po mbështet talentet e reja dhe do të vazhdojë që ta bëjë një gjë të tillë dhe në vijim.

“Kemi një fond për talentet e reja. Ne mbështesim çdo talent, që konkurron në nivel ndërkombëtar dhe arrin rezultate të mira. Kemi një zgjerim të gamës për të suportuar talentet që kemi. Ne duam të mbështesim sa më shumë orgaizatat dhe shoqatat, që të realizohen dhe idetë që ato kanë”, u shpreh ministri Gonxhja.