Kryetari i Partisë Socialiste njëherësh Kryeministri Edi Rama, vijoi takimin me mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar Socialist dhe anëtarëve të Qeverisë me fokus çështje të rëndësishme që lidhen me përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe avancimin e projekteve në fusha të ndryshme dhe prioritare për zhvillimin e vendit.

Sot ai ishte edhe në Asamblenë e Partisë Socialiste, Njësia 2, ku mbajti fjalim në kuadër të organizimit të strukturave për përgatitjet e zgjedhjeve lokale 2027 dhe jo vetëm.

Ai tha se qeveria socialiste arriti të ruante ekonominë përballë krizave të fuqishme si tërmeti, pandemia, lufta në Ukrainë dhe së fundmi kriza e naftës.

Fjala e Edi Ramës:

Duke qenë se kemi nisur punën në funksion të zgjedhjeve të ardhshme dhe duke e ditur se fitoret tona i projektojmë dhe i përgatisim duke marrë kohë dhe shumë më parë se gjithë të tjerët, ne kemi parë nevojën për të bërë një ristrukturim të punës në Bashkinë e Tiranës. Po të shikojmë se si janë rritur disa qarqe, është e qartë se organizimi është A-ja. Jemi në një situatë që ne me kënaqësi e shikojmë se pagat në sektorin privat rriten, dhe po ashtu në sektorin publik rriten vazhdueshëm dhe përsëri i rritëm, kemi hyrë në një fazë siç bëmë me mjekët, ushtarakët, mësuesit. Po njohim paralelisht vjetërsinë në punë. Pra nuk është e njëjta pagë në fund të ditës, pavarësisht se në atë regjistrin e të punësuarve në spital janë dy specialistë të të njëjtit specialitet, ku njëri është i ri e tjetri 20 vjet eksperiencë, apo për faktin që ka punuar më shumë e më gjatë paga ka koeficient tjetër, gjëra normale që s’i bënim dot më parë se s’kishim kapacitet. E njëjta gjë për pensionet, që kanë hyrë në plkanin e rritjes, katër vjet rresht plan ku çdo vit rritja do dyfishohet.

Kjo do të thotë se funksionon ekonomia. E mësuan të gjithë se ekonomia nuk është vetëm me atë që bëjmë ne këtu, por edhe çfarë ndodh larg nesh. E mësuam këtë me pandeminë që na erdhi nga larg dhe me luftën në Ukrainë, që na goditi edhe ne si të tjerët, me energjinë dhe po e shikojmë tani prapë me naftën, që po ndikohet nga lufta në Iran.

Nga ana tjetër kemi mësuar ne po e po, por edhe njerëzit, që të rrimë duarkryq e të themi se kjo është situata, e qoftë me pandeminë, qoftë me tërmetin që ishte forcë madhore, qoftë me luftën në Ukrainë, kemi bërë reagime që kanë lehtësuar njerëzit dhe ndihmuar që ekonomia të mos rrëzohet.

Jemi i vetmi vend që kemi ulur çmimin e energjisë, sidomos për ata që e paguajnë energjinë apo ata që e kanë kapacitet shpenzimesh dhe 10% nuk është pak, është ulur.

Edhe me naftën e keni parë që me Bordin e Transparencës kemi menaxhuar çmimi, do i vinte koha, duhet të krijoheshin disa kushte që të futej edhe shteti në këtë treg, jo se ne s’donim ta bënim. Dhe shteti duke u futur e para të garantojë rezervat për çdo rast se bota është shumë e madhe dhe shpesh rrotullohet në drejtimin e gabuar. Ne po përgatitemi të futemi në treg me komponent shtetëror, por edhe të fusim disa risi që kanë të bëjnë me kapacitete të reja teknologjike, qoftë me markimin e naftës, që për pak del produkti i parë i kompanisë publike që kemi bërë me Emiratet e Bashkuara, për të markuar naftën dhe për të bërë të pamundur shmangien nga detyrimi fiskal si rezultat i markuesit të ri, sepse markuesi i vjetër që gjetëm nga ai famëkeqi i paraardhësve ishte lehtësisht i manipulueshëm dhe duke e gjurmuar naftën tranzit që është një nga burimet e kontrabandës. Me këto do rrisim të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe do garantojmë cilësinë dhe çmim të arsyeshëm të naftës.

Mund të zgjatem me të tjera e të tjera që kanë të bëjnë me investimet, e kemi nisur me 2 milionë turistë ku numëroheshim edhe ne. Ndërkohë që nuk i numërojmë më pasaportat shqiptare si turistë. Kemi arritur mbi 2 milionë turistë dhe mbi 1,5 miliardë investime nga turizmi e të ardhura”.