Goditet një tjetër rast i tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore në Durrës. Arrestohet 38-vjeçari që iu ofroi para punonjësve të Policisë që e konstatuan duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Gjatë patrullimit me objektiv parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit i bënë shenjë ndalimi, në aksin rrugor “Golem-Plepa”, automjetit me drejtues shtetasin L. K., 38 vjeç. Nga kryerja e testit të alkoolit, drejtuesi i automjetit rezultoi në gjendje të dehur.
Gjatë veprimeve të punonjësve të Policisë, drejtuesi i automjetit iu ka ofruar atyre 5 000 lekë, me qëllim shmangien e procedurave ligjore.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, shtetasi L. K., 38 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Kështu, shkon në 11 numri i drejtuesve të automjeteve të arrestuar/proceduar penalisht, që kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë.





