Kopenhaga është qyteti më i lumtur në botë, sipas një sondazhi të Happy City Index, shkruan il messaggero.it. Në 11 vendet e para dominojnë pothuajse të gjitha qytete të Evropës Qendrore dhe Veriore: përjashtim bën vetëm Tokio, që renditet në vendin e pestë.
Pesëshja e parë përbëhet nga Helsinki, Gjeneva dhe qyteti suedez Uppsala – përkatësisht në vendin e dytë, të tretë dhe të katërt- të ndjekura nga Trondheim në Norvegji, kryeqyteti zviceran Bernë, qyteti suedez Malmö, Mynihu në Gjermani, Aarhus në Danimarkë dhe sërish Zvicra në vendin e njëmbëdhjetë me Zyrihun.
Qyteti i parë mesdhetar që hyn në listë është Barcelona, në vendin e dymbëdhjetë. E njohur më shumë për artin, kulturën dhe argëtimin, kryeqyteti katalanas po dallohet gjithnjë e më shumë për harmoninë dhe cilësinë e jetesës.
Më pas rikthehemi në veri për të gjetur shembuj të tjerë qytetesh – më pak ose më shumë të njohur – për t’u ndjekur dhe zbuluar, si Espoo në Norvegji dhe vetë kryeqyteti i vendit, Oslo, i ndjekur nga Haga.
Në vendin e gjashtëmbëdhjetë gjejmë një emër që rrallë shfaqet në këto renditje, Ballarat në Australi, një qytet i këndshëm në shtetin e Viktorias, i vlerësuar për arkitekturën dhe sharmin historik.
Pas Aalborg në Danimarkë, kthehemi sërish në Japoni me Yokohamën, një “Tokio” më e vogël dhe më e jetueshme, e njohur për zonën e madhe dhe të gjallë të Chinatown-it dhe për kopshtin Sankei-en, një park botanik me shtëpi japoneze nga periudha të ndryshme që ofrojnë një udhëtim në kohë.
Cilat janë kriteret që vlerësojnë lumturinë?
Inovacioni dhe qëndrueshmëria, zhvillimi kulturor i banorëve, një nivel i lartë arsimimi, një ekonomi dhe sipërmarrje e gjallë dhe të ardhura mesatare të larta, duke ruajtur ekuilibrin mes punës dhe jetës private.
Në këtë panoramë kontribuojnë gjithashtu një sistem transporti i qëndrueshëm, kujdes i madh për cilësinë e ajrit, hapësira të gjelbra të bollshme dhe, në përgjithësi, një vëmendje e përhapur ndaj mirëqenies kolektive.





