Tentoi të trafikonte fara Cannabisi përmes portit të Durrësit, arrestohet në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare një 24-vjeçar.
Sekuestrohen rreth 3250 fara Cannabisi dhe pajisje që dyshohet se përdoret për kultivimin e bimëve narkotike dhe furgoni me të cilin tentoi t’i trafikonte.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Portit të Durrësit, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve në hyrje/dalje, të bazuara në analizën e riskut, si dhe në informacione të siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës, operacionin e koduar “Parandalimi 2”.
Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. K., 24 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe kontrollit në furgonin e tij, në hyrje të RSh-së, gjetën disa qese me rreth 3250 fara të dyshuara narkotike Cannabis Sativa dhe një pajisje që dyshohet se përdoret për kultivimin e bimëve narkotike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.





