Nga Shpëtim Kodra

Durrësi, qyteti më i lashtë i Shqipërisë, është një qytet me tradita të pasura kulturore. Statuja e muzës së tragjedisë, Melpomenit, në muzeun arkeologjik, dëshmon qartë për këtë. Teatri i Durrësit,që mban emrin e A.Moisiut, ka një historik mjaft të pasur. Fillimet e lëvizjes së mirëfilltë teatrore i gjejmë në vitet 1907 -1908, kur u formua shoqëria teatrore –muzikore “Vëllazënia”. Më  1920 e më pas, në një barakë të gjatë pranë doganës, prapa bankës e ku shkruhej “Teatri Skanderbek”,shfaqeshin pjesët teatrale. Më 1927-1928 pjesëtarët e shoqnisë teatralo –sportive “Teuta” shfaqnin dramat “Cubat”, “Lulja e kujtimit” e “Karl Topia”. Më 1935 themelohej shoqëria “Durrësi” dhe shfaqej “Shpërblimi i gjakësisë”, me subjekt nga jeta e Ali Pashës. Në takime kombëtare disa herë u morën çmime të para dhe të dyta.

Më 1947 shfaqej “Fejesa” e çehovit. Më 1948 u shfaqën:”Revizori” i Gogolit, “Tartufi” i Molierit e “Ariu” i çehovit. Më pas “Martesa” e Gogolit shfaqej rreth 500 herë me N.Xhojën në rolin e Podgolisenit. Më 1950 Durrësi fitonte përsëri çmim të parë me grupet diletante. Po ashtu edhe më 1952, me aktorët e shkëlqyer si L.Murati, S.Pitarka, B.Qeraxhia etj. Gjatë viteve 1945 -1953 u përgatitën 36 premiera, 14 prej të cilave ishin origjinale. U dhanë 280 shfaqje. Më 11 janar 1953 u ngrit Teatri profesionist “A.Moisiu” nga themeluesit e tij: L.Murati, N.Xhoja, M.Xhoja, T.Thanasi, T.Rupi, S.Urumi, M.Gallani, A.Xhimitiku, K.Tafili. Premiera e parë ishte komedia “Vajza nga fshati” e F.Gjatës, vënë në skenë nga P.Stillu.

Gjatë 47 vjetëve u vunë në skenë rreth 200 premiera shqiptare e të huaja. Kanë punuar  regjisorë  të talentuar: P.Kolo, M.Zoto, E.Oktrova, K.Pirro, V.Heba, S.Urumi, H.Rama etj. Aktorë gjithashtu të njohur: L.Hoxha, M.Burda, M.Profi, G.Radoja, P.Deçolli, F.Ujkaj, L.Lushi, Xh.Tafaj, H.Bashhysa etj. Ndërsa estrada profesioniste, e krijuar më 1960 ka në repertorin e saj rreth 150 premiera me regjisorin Gj.Vlashi dhe rreth 50 premiera me H.Ramën. Aktorë të shquar: R.Njala, A.Stari, S.Strati, E.Likmeta, F.Hasa, M.Hoxha, R.Koça. Estrada e Durrësit ka marrë mjaft çmime nderi. Durrësi ka nxjerrë mjaft talente të shquara edhe në artet figurative e në artin muzikor.

Aktorët më të mirë të Durrësit, si L.Murati, N.Xhoja etj. kanë ecur në gjurmët e Moisiut, edhe pse nën diktaturën komuniste, nuk kishin mundësi për t’u prezantuar me talentin e tyre, në skenat botërore. Jeta është e shkurtër, arti i përjetshëm, prandaj ata nuk do të harrohen. Një mundësi të tillë e pati Mirush Kabashi, një aktor e recitues unik, i papërsëritshëm. U përgatit nga pedagogë e aktorë të famshëm si K.Roshi e S.Prosi. U rrit e u formua në gjirin e trupës profesioniste të teatrit “A.Moisiu”,me emra të shquar. Në gazetën bilingue “Arcobaleno dell’ Adriatico” (Ylber mbi Adriatik”), më 1997 kam publikuar artikullin “Në gjurmët e Moisiut”, kushtuar Mirush Kabashit, pas suksesit në Kajro më 1997.

Politika i ndan njerëzit, arti i bashkon. Arti e letërsia na kanë integruar me kohë në Evropë e në botë. Kadareja është përkthyer në 45 gjuhë. Durrsakë të tjerë na kanë nderuar në shkallë ndërkombëtare. Gëzim Myshketa, bariton ka dhënë me sukses mjaft shfaqje në skenat evropiane. M.Kabashi, “Sokrati” shqiptar, meritoi “Sfinksin e artë”  ndër 1000 artistë të 46 vendeve, në festivalin IX ndërkombëtar teatror në Kajro më 1997. Përkrah tij artistja Chrisanthi Douzi, “Atrida” greke, u cilësua aktorja më e mirë.  Luigi Musati, kryetari i jurisë ndërkombëtare, u shpreh:”Shumë e rëndësishme për mua, në këtë festiaval, ishte zbulimi i aktorit Mirush Kabashi, një aktor i jashtëzakonshëm. Ai shtangu të gjithë jurinë, që mbeti e mahnitur. Për 1 orë e 20 minuta ai zotëroi skenën, me një gjuhë, të cilën asnjë nuk e kuptonte, por që ai e bëri të kuptueshme përmes shpirtit të tij dhe mesazhit të rëndësishëm të veprës që ai  deklamoi.

Nëse Max Brod është shprehur se “Hamleti” është shkruar për t’u interpretuar nga A.Moisiu”, pa asnjë mëdyshje, mund të themi se “Apologjia e Sokratit” është shkruar nga Kostas Varnalis, për t’u interpretuar nga M.Kabashi”. Me patos e pasion, me një art virtuoz, me mimikë, gjeste e tingëllim të veçantë, Mirushi i ka elektrizuar spektatorët në shumë vende të Evropës, me rolin e Sokratit, duke u bërë një ambasador i vërtetë i artit shqiptar në botë. Në festivalin ndërkombëtar “Kiev Top Fest” (maj 2004), Aleksei Kuzhjelni, president i festivalit, u shpreh:”Aktorë të tillë botërorë, si Mirush Kabashi, përbëjnë një thesar për njerëzimin. Ai është një emër dinjitoz, jo vetëm për teatrin shqiptar, por edhe për atë botëror. Nëse do të më pyesni që a kishte yje ky festival, do t’ju përgjigjesha:”A nuk ishte i tillë aktori shqiptar M.Kabashi?” Igor Negresku, regjisor, profesor në Akademinë e Arteve të Kievit tha:”Falënderoj Zotin që më dha mundësinë, të shoh këtë shfaqje të mrekullueshme dhe këtë aktor të shkëlqyer. M.Kabashi është një aktor gjenial, me një teknikë të përsosur, që për asnjë sekondë nuk të lë të marrësh frymë”.

L.Goluboviq (gazeta “Starts”, Beograd): “Për herë të parë në historinë e teatrit serb, u shfaq  teatri i Tiranës. Për fat të keq, në sallë nuk ndodhej asnjë politikan, që ta dëgjonte këtë mesazh të artistit. “Sokrati shqiptar” la te publiku një përshtypje të mrekullueshme”. M.Jovigjeviç ( “Koha e përafrimit tonë”,gazeta “Politika”): “Prania e legjendës së gjallë të aktrimit shqiptar M.Kabashi, përbën të vetmin rast, që publiku ynë të shohë, të paktën një pjesëz nga çfarë po ndodh në teatrin te fqinji ynë, që deri më sot, për shkak rrethanash jo fatlume, ka qenë gjthsesi një vend ekzotik”.A mund të flasë kështu një politikan serb?”

Ambicia, egoja janë në vetvete vese, por, kur shërbejnë si nxitje për të ecur përpara, në fushën e artit, ato kthehen në virtyte. Ambicia pozitive dhe vullneti i rrallë, e kanë bërë M.Kabashin që të interpretojë me sukses, në harmoni me ansamblin e kolegëve të talentuar durrsakë, në pjesët “Revizori”, “I sëmuri për mend”, “Karnavalet e Korçës”, “Hija e tjetrit” etj. “Kartela e verdhë” do të shfaqej rreth 500 herë. Me rolin e Nestorit te “Mirë se erdhe, Elona”(H.Rama), në konkurimin kombëtar më 1984, do të cilësohej aktori i dytë, pas R.Ndrenikës. Ndërsa më 1989, me rolin e Sadushit, agronom te “Hija e tjetrit”(R.Pulaha) do të shpallej aktori më i mirë i festivalit kombëtar të teatrove. Sondazhi i revistës “Skena dhe ekrani” do ta vinte në vendin e tretë, pas kujdestarit të K.Roshit dhe Jaho Labit të S.Prosit. Siç shihet, suksesi aktual i M.Kabashit, lindi në një truall të favorshëm, por pati dhe një vijimësi logjike.

Kulmin artistik me rolin e Sokratit, ai e arriti pas një pune tejet këmbëngulëse, por dhe pas një konceptimi të menduar e të përpunuar vite më parë. Fragmente të pamfletit “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, të Kostas Varnalis, Mirushit ia kish rekomanduar regjisori i talentuar i estradës së Durrësit, Gj.Vlashi, gjatë përgatitjes për të folurit skenik. Më 1985 regjisorit të trupës greke, që shfaqte në Tiranë “Zbutjen e kryeneçes” të Shekspirit, Mirushi i shprehte synimin e tij për inskenimin e pamfletit të Varnalisit. I çuditur, regjisori grek, një personalitet i njohur që, në shtatorin e këtij viti në Kajro do të shfaqte me mjaft sukses “Lisistratën”, i tha se sapo e kishte inskenuar vetë në Athinë “Apologjinë e Sokratit”, por kishte patur mjaft reaksion.

Fragmente të pamfletit  M.Kabashi i kish interpretuar që në vitin 1987 në televizion, nën regjinë e M.Shanajt. Pas dhjetë vjetësh, pra në qershor 1997, shfaqja u dha në prova, por, për kushtet që dihen, nuk u dha për publikun. Për këtë rol, pas të cilit Mirushi është dhënë me mish e me shpirt, dha kontributin e tij edhe regjisori Gëzim Kame. Kështu u realizua roli i mrekullueshëm i Sokratit filozof dhe njeri i zakonshëm. Sokrati (470 -399 p.e.s), filozof grek nuk ka lënë asgjë të shkruar. Njihet sidomos nga “Dialogët” e Platonit, shkruar në valën e zemërimit, pas dënimit me vdekje të mësuesit të tij: “Apologjia e Sokratit”, “Kriton”,më pas “Fedoni”, “Banketi” dhe “Tekteli”.

Sokrati paraqitej gjithnjë duke diskutuar. I veshur me një pallto të rëndomtë, duke ecur nëpër rrugë këmbëzbathur, në çdo kohë. Kishte një temperament jashtëzakonisht të fortë. Në dukje ishte vulgar e kish një hundë të shtypur. Nuk ngjasonte aspak me sofistët e veshur mirë, që tërhiqnin athinasit dhe as me të diturit që kishin funksione në qytet. Ai ishte një kritik i pamëshirshëm i opinioneve njerëzore dhe i tiranisë. Luftëtar kurajoz, qytetar i shkëlqyer me një urtësi personale, që nuk varej nga rrethanat. Ndodhej kudo në tubimet e popullit e në festa publike, duke u paraqitur si njeriu që “nuk di asgjë”. I shurdhët e i shëmtuar, nuk ishte as orator i shquar. Te dishepujt e tij donte të mprihte nuhatjen për të vërtetën.

“Të njohësh të vërtetën është një veprim moral. Ajo që zotëroj unë, nuk është e vërteta në vetvete, por kërkesa për një të vërtetë të lartë” – i thoshte Pitias. Ai nuk jepte mësim duke imponuar mendimin e tij, por bënte të zgjohej te tjetri ndjenja e së vërtetës, që ishte te njeriu e fjetur dhe e kënaqur me pak. “E keqja vjen nga padija. Detyrë për transformimin e brendshëm te njeriu, është formimi i ndjenjës së të vërtetës” –shprehej. Në dukje një figurë e përulur, por dhe e mbrujtur me urrejtjen e njeriut të poshtëruar e të pambrojtur nga hartuesit, zbatuesit, por dhe shkelësit e ligjeve. Ndonëse paraqitet si lypës, Sokrati kthehet në një zot të skenës; në një figurë me koherencë të plotë të brendshme, por dhe me aftësinë e heroit, që nuk tjetërsohet përballë presionit të kundërshtarit, të cilin ai e ve në lojë, duke u kthyer në një akuzues të fuqishëm të përfaqësuesve të drejtësisë dhe të politikës:”Shikoni përfaqësuesit e akuzës.

Janë të bukur, të veshur. Janë patriotë me vulë, që shkëlqejnë si diejt e demokracisë. Shpirti i tyre shkëlqen më tepër se veshja, bukuria e pasuria e tyre. Kur kam qenë djalosh, kam gdhendur mermer me babanë. Vegjëlia njësoj vuan, edhe kur pushteti quhet tirani, edhe kur quhet demokraci. Demokracia juaj është tirani e maskuar. Nuk janë ligjet të padrejta, por janë njerëzit që i zbatojnë ato. Ligj do të thotë vullnet i të fortëve. Duke bërë tradhtinë profesion, keni fëlliqur çdo kuptim të drejtësisë. Isha aq i ndershëm, sa nuk pranova të bëhem politikan.

Ja dhe politikani. I shkëlqejnë sytë. Na do me shpirt e për ne bëhet fli. Për hatrin tonë shkel ligjet, që të na shpëtojë nga ligji. Fjalët e mia bën sikur i merr për shaka. Dëshira për të zotëruar është shkaku i të gjitha luftrave. Pushtet e luftë janë dy gjëra që s’mund të ndahen. Neve nuk na lejohet të marrim mbrapsht, ato që sunduesit na marrin me anën e forcës e dinakërisë; ata që përfitojën me gjakun dhe votën tonë”.Njerëzve të varfër e të ndershëm Sokrati u thotë:”Atdheu ësht juaji, por në këtë atdhe, gjë prej gjëje s’ju përket. Ju jeni skllevër, që të jemi të lirë ne. Mbi kurrizin tuaj bëhen të gjitha llojet e padrejtësive. Që të rezistosh kundër padrejtësisë, duhet guxim e besim në vetvete. Ju jeni pulsi i jetës. Provoni fuqinë tuaj e bashkohuni, me njerëzit e lirë. Detyrojini ata të punojnë, që të kenë të hanë”.

Sokrati prirej drejt krijimit të një morali të ri e të përjetshëm. Një projekt politik për një shtet të drejtë, të aftë për  t’u dhënë qytetarëve një formim të përshtatshëm shoqëror e kulturor. Ai besonte se filozofia duhet të arrijë rezultate praktike për mirëqenien e shoqërisë. I bindur që vetëm dija të bën të lirë, shprehej:”Ka vetëm një të mirë, që është dituria. Ka vetëm një të keqe, që është padituria… Nga të fuqishmit dalin njerëzit më keqbërës…Nuk jam as athinas, as grek; jam qytetar i botës. Ai që do të ndryshojë botën, fillimisht duhet të ndryshojë veten e tij”. Duke dënuar klasën politike athinase, mbron lirinë e ndërgjegjes.

Pikërisht për këtë, ai e bën për vete spektatorin. I varfër në veshje, por i pasur në mendime e ndjenja, Sokrati-Mirush kthehet në një figurë organike, të lirshme në skenë, të besueshme, realiste, sepse mbështetet në domethënien e tekstit, por edhe në një figurë origjinale në konceptimin e aktorit e të regjisorit. Duke shpalosur një gjuhë në harmoni të plotë me mendimet dhe veprimet, me karakterin e tij individual e shoqëror, personazhi, përmes lojës së rrallë aktoreske, bëhet i papërsëritshëm, me kalimet e jashtëzakonshme nga tragjikja në komiken. Duke pasur parasysh që drama merr jetë në skenë dhe se e njejta dramë mund të tingëllojë ndryshe nën konceptime të veçanta regjisoriale e aktoriale, mund të pohojmë që dueti aktor – regjisor ka qenë i përsosur. Një nivel i lartë profesional e një art virtuoz.

Duke pasqyruar të vërtetën e jetës, përmes të vërtetës artistike, ata reflektuan në shfaqje vlerat humane dhe universale, për çdo vend e për çdo kohë; vlera që rrjedhin nga vepra , si dhe nga protagonisti i saj.  Dyshimi i këtij kishte përmbajtje politike. U dënua me vdekje me akuzën se “ka dashur të korruptojë rininë dhe të respektojë perëndi të tjera, që s’janë të qytetit të vet”.Arsyeja e vërtetë ishte se vinte gjithçka në dyshim: të drejtën e pushtetit, autoritetin, fenë, drejtësinë. I dënuar me vdekje, ai nuk pranoi që dishepujt e tij të organizonin arratisjen e tij. Ndonëse e dinte që ish dënuar padrejtësisht, iu bind ligjeve të qytetit. Një tjetër monodramë e suksesshme e M. Kabashit është “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”, vepër e Eric Emanuel Schmitt.

V.Hygo:”Njerëzit e mëdhenj e bëjnë vetë piedestalin e tyre, ndërsa pasardhësit i përgatisin statujën”. M.Kabashi nuk është mjaftuar me jetën skenike, ku ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Që në fillimet e demokracisë, më 8 shkurt 1991, në kohën e shpresës së madhe, Mirushi organizoi të parin koncert “Për demokracinë”. Reciton plot pasion vargjet e Bardhyl Londos, të cilat profetizojnë edhe zhgënjimet e tranzicionit të stërzgjatur:”Fitimtarët fitimtarë dhe të mundurit të mundur në përjetësi. Ajo, në qoftë kështu, mos ardhsh kurrë, moj demokraci!”Raporti i pakompromis me politikën. Artisti i shquar bën bilancin me sy kritik dhe sheh se demokracia u përdor keq nga klasa politike dhe solli zhgënjim e tradhti të aspiratave të popullit.

Klasa politike vrau shpresën dhe shoi ëndrrën e bukur e të shumëpritur për liri e demokraci të vërtetë. Në koncertin tjetër recital poetik “Ah, moj demokraci”, niset  nga vargjet e Pano Taçit (ish i përndjekur):”Ndërruan kohët, por nuk ndërruan politikanët, o Shqipëria ime!|E ç’tju them për demokracinë?|E gjeta, apo më gjeti,|me gurin e Sizifit në shpinë?|Tek bëj të çaj dallgët e jetës me vështirësi,|..shpresat duke i bërë abort.|O Zot, sa kam ëndërruar| se më vjen pa ofiqe e pa lëngata.|Po ç’m’u bëre kështu , sa zemra po më plas!” Mirushi ka recituar dhe vargjet të fuqishme nga J.Bllaci, A.Asllani, Xh.Spahiu, si dhe nga E.Rostand, R.Kipling e H.Hajne. Ndërsa, si aktivist shoqëror, në Forumin e Shoqërisë Civile, shfaq shqetësimin e thellë për situatën, në të cilën ndodhet vendi dhe përcjell mesazhin e tij për një reformë të vërtetë politike e jo elektorale.

Shoqëria shqiptare është sot një anije pa busull e pa destinacion. Nga anija hidhen të rinjtë intelektualë e punëtorë, duke u përballur me dallgët e jetës, në viset e huaja, ku kërkojnë të ndërtojnë një jetë më të denjë se në Shqipëri. Për M.Kabashin “demokracia është përgjegjësi”. Me një art brilant, Mirushi ndezi zemrat e  njerëzve, në luftë kundër  padrejtësive.