E moshuara Dhurata Daullxhiu, rasti i trishtë i së cilës u trajtua një ditë më parë në “DurrësLajm”, është dërguar paraditen e sotme drejt Spitalit Rajonal të qytetit.
E shoqëruar nga një mbesë e saj, e moshuara ka hipur në ambulancë dhe do t’i nënshtrohet vizitave dhe kontrolleve mjekësore për të konstatuar gjendjen e saj shëndetësore dhe për t’i dhënë mjekimin e duhur në ambientet spitalore. Në video shihni momentin kur stafi mjekësor po e shoqëron në ambulancë.
Burime nga spitali bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se edhe ditën e hënë është bërë një tentativë për ta marrë të moshuarën dhe për ta shoqëruar për në Urgjencë, por stafi mjekësor është përballur me refuzimin e saj për t’u larguar nga banesa dhe për t’u mjekuar.
Të moshuarës, e cila ka statusin e të vërberës, javët e fundit i ishin krijuar plagë të shumta në të dy këmbët, të cilat kishin nisur të infektoheshin.
Një ditë më parë, gjatë intervistës, ajo pohoi se i mjekonte vetë plagët me jod!!!

E moshuara Daullxhiu jeton e vetme prej disa vitesh, në apartamentin e katit të pare, tek një pallat 5 katësh, në rrugën “Kristo Sotiri”, në lagjen nr.18, në Durrës.
Për shkak të sëmundjes së kujdestares së saj (njëkohësisht motra e saj), e cila nuk viinte më ta kontrollonte, gjendja e Dhuratës nisi të përkeqësohej javët e fundit.
Të njoftuar nga komshinjtë e të moshuarës, disa prej të cilëve i kanë qëndruar asaj pranë në këto ditë të vështira, autoritetet vendore në Durrës (Njësia Administrative, NSHK, Drejtoria e Shërbimit Social, Bashkia dhe Spitali) u vunë në lëvizje për të pastruar dhe dezinfektuar apartamentin e saj, që ndodhej në një gjendje të mjerueshme, si dhe për të mundësuar dërgimin e saj për kurim pranë bluzave të bardha.
Ky është vetëm hapi i parë i ndërmarrë nga autoritetet vendore për të moshuarën, pasi mbetet për t’u parë në vijim sesi do të procedohet më tej për kurimin dhe sistemimin e saj.
Në kushtet aktuale, e moshuara e ka të pamundur të jetojë e vetme në banesë, pa dikë pranë që të kujdeset për të.

Aktualisht të gjitha orenditë që ajo kishte në shtëpi janë nxjerrë jashtë, sepse përbënin vatër infeksioni dhe njëra nga fqinjet që i ka ndenjur më pranë, përmes një postimi në rrjete sociale i bën apel bashkëqytetarëve që të ndihmojnë.
Por nëse Dhurata Daullxhiu rikthehet sërish e vetme në apartamentin e saj, situata e rënduar e ditëve të fundit rrezikon të përsëritet sërish duke e vështirësuar së tepërmi edhe jetesën e familjeve të tjera, që banojnë në të njëjtin pallat me gruan e moshuar.
M.B.





