Klasat e ciklit të lartë të shkollës 9-vjeçare “14 Nëntori” në Durrës shpalosën sot në sheshin qendror të qytetit gjithë kreativitetin e tyre përmes punimeve të realizuara në 4 fusha të ndryshme të të nxënit, duke konkretizuar kështu më së miri në praktikë dijet e fituara gjatë orëve të mësimit.

Përmes materialeve të ndryshme, kryesisht të riciklueshme, fëmijët e klasave nga e 6-ta deri në të 9-ën sollën në sheshin “Liria” projektet ku kishin konkretizuar imagjinatën dhe dijet e marra përgjatë vitit shkollor në lëndë të ndryshme.

Mes punimeve spikaste harta e Shqipërisë, e punuar nga nxënësit e klasës së IX B.

“Tema e projektit tonë është turizmi në 4 stinë dhe ne të gjithë si klasë vetëm një ide, që të realizonim në lëndën e gjeografisë një projekt gjigand, që të ishte i bukur edhe për shikuesit. donim që materialet e përdorura të ishin kryesisht të riciklueshme. kemi përdorur qese në ngjyrë blu, kemi përdorur fleta, kartona, fije leshi etj”,- na tregon nxënësja e klasës së IX, Uendi Hoxha.

270 nxënës të shkollës janë angazhuar në realizimin e 4 projekteve, të ekspozuara në shesh. Për drejtoreshën e shkollës Merita Kuçi dhe mësuesen e historisë Zemrite Hereni të gjitha punimet dëshmojnë përkushtimin dhe seriozitetin e nxënësve, por edhe komunitetit të prindërve.

Punimet tërhoqën jo pak edhe vëmendjen e turistëve të huaj. Të gjitha projektet do të jenë pjesë e arkivit të shkollës, disa prej të cilave do të ekspozohen tashmë edhe në ambientet e muzeut, të hapur pranë këtij institucioni arsimor.  

M.B.