Klubi i Teutës po ndërton një ekip që pritet të jetë konkurrues për objektivat e rëndësishëm të sezonit të ardhshëm nën drejtimin e trajnerit Edlir Tetova, i cili po mbledh një nga një lojtarë që i mendon si të rëndësishëm për idetë e lojës së tij.

Një prej tyre është edhe Esat Mala. Durrsakët dhe mesfushori i larguar nga Vllaznia janë bërë gati të hedhin firmën në kontratë, por për momentin kjo nuk ka ndodhur.

Mësohet se kërkesat financiare të mesfushorit kanë frenuar durrsakët, të cilët i kanë vlerësuar si të ekzagjeruara këto pretendime të tij. Palët vazhdojnë të negociojnë për të gjetur gjuhën e përbashkët, pasi në parim, të gjitha anët e përfshira janë në gatishmëri për të nisur në bashkëpunim.

Për Malën prioritet mbetet Teuta por rivalët e tjerë në Superiore po ndjekin situatën me vëmendje, duke shpresuar që të përfitojnë nëse nuk gjendet gjuha e përbashkët sa u përket termave financiare.