Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snežana Paunoviç, ka deklaruar se një pjesë prej shtatë sekondash e një interviste të saj për televizionin Kurir është “nxjerrë jashtë kontekstit me qëllim të keq” për ta akuzuar atë për mbështetje të spastrimit etnik.
Megjithatë, gjatë reagimit të saj, Paunoviç përsëriti qëndrimet e shprehura në intervistën kontroverse, duke shtuar se ndoshta do të kishte qenë më e përshtatshme të përdorej termi “deportim” në vend të “spastrim etnik”, për të shmangur kritikat nga të dyja palët.
Deklarata e ministres shkaktoi reagime të shumta pasi, në një intervistë të transmetuar në Kurir TV fundjavën e kaluar, ajo tha se nëse do të kishte qenë në vendin e ish-presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç në vitin 1998, do të kishte “pastruar etnikisht Kosovën”.
Paunoviç pretendoi se reagimet ndaj saj ishin pasojë e “keqpërdorimit të një pjese të deklaratës”.
“Kur nxjerr shtatë sekonda nga një emision i tërë, mund të bësh pikërisht atë që bënë ata”, deklaroi ajo për televizionin serb Prva, duke pretenduar se deklarata e saj u përdor për qëllime politike.
Ajo pranoi se përdorimi i termit “spastrim etnik” mund të ishte shmangur.
“Po, ndoshta do të kisha përdorur termin deportim, vetëm për të shmangur kryqëzimin nga të dyja palët”, tha Paunoviç, duke shtuar se ajo i referohej, sipas saj, largimit të personave që nuk respektojnë ligjet dhe jo eliminimit fizik të askujt.
Duke shpjeguar deklaratën e saj, ministrja tha se sipas saj Millosheviçi duhej të kishte vepruar duke larguar personat që nuk respektonin Kushtetutën dhe ligjet e atëhershme të Republikës Federale të Jugosllavisë, ndërsa për personat që ajo i cilësoi si “terroristë” duhej të vepronin forcat zyrtare të sigurisë.
Paunoviç kritikoi gjithashtu nismën e 53 deputetëve të opozitës në Parlamentin serb, të cilët kërkuan shkarkimin e saj nga posti i ministres.
Ajo akuzoi disa politikanë dhe media në Serbi se po e përdorin çështjen për përfitime politike dhe pretendoi se reagimet e tyre kishin marrë mbështetje nga Kosova.
Ministrja kritikoi edhe ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili i ka ndaluar hyrjen në Kosovë, duke e akuzuar atë për të kaluarën e tij gjatë luftës në Kosovë. Sveçla i ka mohuar dhe ka kundërshtuar vazhdimisht pretendime të tilla.
Duke folur për kërkesat për dorëheqjen e saj, Paunoviç tha se do të largohej nga posti nëse shumica e qytetarëve serbë do ta konsideronin deklaratën e saj problem për vendin.
“Nëse shumica e Serbisë e kërkon këtë, nuk do të kem problem të tërhiqem”, deklaroi ajo.





