Më shumë se 48 orë, pasi u publikua në mediat online rasti i një pacienti 52-vjeçar nga Durrësi, i cili ishte gjetur i braktisur në ambientet e portit të peshkimit, ka ardhur reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë. Në një komunikatë për mediat, dikasteri i shëndetësisë ka urdhëruar nisjen e një hetimi të thelluar administrativ lidhur me trajtimin e rastit të pacientit 52-vjeçar me inicialet A.A.

Pasditen e së mërkurës, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirugjikale në spitalin e Durrësit, vetëm disa orë pasi 52-vjeçari ishte rikthyer në ambientet spitalore dhe sipas mjekut Naim Mediu që kreu operacionin gjendja e tij shëndetësore paraqitet e stabilizuar dhe pacienti ndodhet në repartin e terapisë intensive.

Në komunikatën për shtyp, ministria thekson se hetimi administrativ do të shqyrtojë në mënyrë të plotë jo vetëm procedurat dhe masat e marra nga struktura spitalore, por edhe veprimet dhe përgjegjësitë e strukturave të shërbimit social të përfshira në këtë rast.

“Në kuadër të këtij procesi, drejtuesit e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe të Shërbimit Social Shtetëror janë në terren për të kryer verifikime të drejtpërdrejta dhe për të mbikqyrur procesin e hetimit administrativ të strukturave në qytetin e Durrësit.

Ndërkohë, pacienti ndodhet nën kujdesin e strukturave shëndetësore në spitalin rajonal të Durrësit.

Gjithashtu, po verifikohet i gjithë dokumentacioni shëndetësor dhe administrativ, si edhe përgjegjësia e personave të përfshirë në menaxhimin dhe transportimin e pacientit”,- thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Një ditë më parë, gazetarë dhe emisione investigative publikuan fakte se 52-vjeçari ishte dërguar me ambulancë në portin e peshkimit, ku edhe punonte kohë më parë, dhe ishte lënë aty i vetëm. Vetëm pas mediatizimit të rastit, pacienti u rikthye në spitalin e Durrësit dhe u operua.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën të ditur se mbetet e angazhuar për të garantuar transparencë të plotë, zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe marrjen e çdo mase administrative apo ligjore që do të rezultojë e nevojshme.

LEXONI EDHE: