Producentja Amy Pascal ka zbuluar detaje të reja për të ardhmen e ekskluzivitetit “James Bond”, duke lënë të kuptohet se aktori që do të pasojë Daniel Craig do të sjellë një qasje të re në rolin e agjentit 007.

Daniel Craig i dha fund aventurës së tij si James Bond pas filmit “No Time To Die”, të publikuar në vitin 2021. Që atëherë, emri i pasuesit të tij ka mbetur një prej mistereve më të mëdha të kinemasë.

Pascal, e cila së bashku me David Heyman po udhëheq të ardhmen e ekskluzivitetit, tha se publiku mund të marrë më shumë informacione për filmin dhe kastin e ri deri në fund të vitit.

“Do të thoja që fundi i vitit është një mundësi e mirë. Ne jemi vërtet, vërtet metodikë”, deklaroi ajo për “Deadline”.

Duke folur për zgjedhjen e aktorit të ri, Pascal pranoi se pasardhësi i Craig do të përballet me një sfidë të madhe.

“Daniel Craig është i vështirë për t’u ndjekur. Dhe duhet të jetë diçka vërtet e ndryshme, diçka emocionuese dhe e ndryshme”, u shpreh producentja.

Filmi i ardhshëm, i njohur aktualisht si “Bond 26”, do të drejtohet nga Denis Villeneuve, regjisori i “Dune”, ndërsa skenari po shkruhet nga Steven Knight, krijuesi i “Peaky Blinders”.

Villeneuve e ka përshkruar më herët serinë “James Bond” si “territor të shenjtë”, duke theksuar se synon të respektojë traditën e ekskluzivitetit, por njëkohësisht të hapë rrugën për misione të reja.

Ndërkohë, procesi i përzgjedhjes së aktorit të ri vazhdon. Sipas raportimeve, raundi i ardhshëm i audicioneve pritet të zhvillohet në gusht, ndërsa lista e kandidatëve mund të përfshijë nga pesë deri në më shumë se dhjetë aktorë.

Mes emrave që janë përmendur në spekulime janë Callum Turner, Jacob Elordi dhe Louis Partridge. Ky i fundit, nëse do të zgjidhej në moshën 23-vjeçare, do të bëhej aktori më i ri që ka luajtur ndonjëherë James Bond.

Në listën e kandidatëve raportohet se mund të jetë edhe aktori britanik Tom Francis, 26 vjeç, i njohur për rolin në muzikalin “Sunset Boulevard”, ku interpretoi përkrah Nicole Scherzinger.

Megjithatë, deri tani nuk është konfirmuar zyrtarisht asnjë prej kandidatëve. Duke qenë se filmi është ende në fazat e para të zhvillimit, premiera e filmit të ri të James Bond pritet jo më herët se viti 2028.