Nga Aleksandër Cangonja
Për ne durrsakët, Currila nuk është thjesht një plazh, por vendi i kujtimeve tona më të bukura. Ajo ka qenë gjithmonë plazhi ynë ekskluziv, oazi ku pothuajse të gjithë kemi hedhur hapat e parë në det dhe kemi mësuar notin. Kush nuk e kujton ujin e pastër, batllat apo guvat mes shkëmbinjve dhe atë ndjesinë e veçantë ku pishat e kodrës takonin detin?Por sa ka ndryshuar Currila e fëmijërisë sonë? Një dokument zyrtar i datës 22 janar 1982, na kthen pas në kohë. Ai tregon me shifra se si ishte projektuar ky plazh para se të kthehej në zonën e zhurmshme dhe të betonizuar që shohim sot.
Currila e Vitit 1982
Një Projekt i Planifikuar Mjedisor Shkresa zyrtare e Protokollit Nr. 44, e lëshuar nga Ndërmarrja Komunale e Shërbimeve të Durrësit dhe e firmosur nga inxhinieri Vladimir Shkëmbi dhe drejtori Fahri Gelemi, i drejtohej Ministrisë së Ekonomisë Komunale në Tiranë. Ky dokument zbulon se Plazhi i Currilave shtrihej në një sipërfaqe totale prej 45,460 m².Ajo që të bën më shumë përshtypje në këtë dokument është bilanci mjedisor. Gati 51% e të gjithë zonës ishte e mbuluar nga gjelbërimi: 12,400 m² ishin klasifikuar si “Pyll Park” (kryesisht në pjesën e kodrës) dhe 10,860 m² si “Lulishte”. Në atë kohë, shteti komunist e konceptonte Currilën jo si një zonë zhvillimi ekonomik apo ndërtimi, por si një oaz kurativ dhe çlodhës për punëtorët. Sipërfaqja e rërës zinte vetëm 6,800 m², e gjitha tërësisht publike dhe e paprekur nga asnjë strukturë private.Infrastruktura ishte minimale dhe e orientuar drejt këmbësorëve: rrugët zinin 3,100 m², ndërsa trotuaret plot 8,700 m². Ky raport tregon qartë se Currila ishte projektuar për shëtitje dhe qetësi, larg zhurmës së automjeteve që në atë kohë ishin pothuajse ekzistente vetëm për zyrtarët.
Tranzicioni dhe Përmbysja e Bilanceve Urbane
Me rënien e regjimit socialist në vitet ’90, Currila hyri në një epokë të re, atë të kapitalizmit të vrullshëm dhe të pakontrolluar. Filozofia e menaxhimit të hapësirës ndryshoi rrënjësor. “Pylli Park” në kodrën e Currilave pësoi goditjen e parë të rëndë. Prerjet e paligjshme të pemëve dhe ndërtimet pa kriter në skatën e kodrës jo vetëm që zhdukën kurorën e gjelbër, por prishën ekuilibrin natyror, duke shkaktuar në vitet në vijim rrëshqitje masive dhe të rrezikshme të dherave.Sipërfaqja e rërës dhe vija bregdetare pësuan gjithashtu një transformim ligjor dhe fizik. Plazhi publik dhe i hapur i vitit 1982 u copëtua në dhjetëra parcela private të dhëna me qira për beach bars, hotele dhe restorante. Sot, koncepti i pushuesit që vendos peshqirin e tij lirisht në rërën e Currilave është kthyer në një luks, pasi pjesa më e madhe e bregut është e zënë nga platformat e drurit dhe shezlongët me pagesë
Currila Sot
Mes Zhvillimit Modern dhe Presionit të BetonitSot, nëse ecën përgjatë Currilave, përballesh me një peizazh që inxhinierët e vitit 1982 nuk do ta imagjinonin kurrë. Zona është kthyer në një prej poleve më të rëndësishme të turizmit dhe jetës së natës në Durrës. Rrugët janë zgjeruar, infrastruktura e shëtitores “Taulantia” ka sjellë një pamje moderne dhe komplekset e banimit apo hotelet shumëkatëshe dominojnë peizazhin.Megjithatë, kjo rritje ka ardhur me një kosto të lartë. Rrjeti i kanalizimeve prej 340 metrash linearë i vitit 1982 është zëvendësuar nga kilometra të tërë tubacionesh që shpesh kanë pasur vështirësi të përballojnë ngarkesën e hoteleve, duke kërcënuar herë pas herë pastërtinë e ujit të detit. Koncepti i shërbimeve publike (si 12 tualetet publike të shënuara në dokument) pothuajse është zhdukur, duke kaluar tërësisht në varësi të bizneseve private.
Më poshtë dokumenti i transkiptuar:
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE SHQIPERISE
NDERMARRJA KOMUNALE SHERBIMEVE
“Dega Sherbimeve” Durres, me 22.I.1982
Nr. 44 Prot.
MINISTRIS EKONOMIS KOMUNALE
(Deges Gjelberim Plazhe)
TIRANE
Simbas kerkeses tuaj verbale po ju dergojme te dhenat
e siperfaqes te plazhit curilave.
| Nr. R. | Emertimi | Njesia matjes | Sasija |
| 1. | Siperfaqia e pergjithshme e plazhit …. | m2 | 45460 |
| a. | ” Gjelberimit .Pyll park….. | m2 | 12400 |
| | ” Lulishte……….. | m2 | 10860 |
| b. | Siperfaqe reres …………………. | m2 | 6800 |
| c. | ” Rrugeve…………………. | m2 | 3100 |
| d. | ” Tratuareve………………. | m2 | 8700 |
| e. | Kanalizimet……………………… | ml | 340 |
| f. | Siperfaqe kendi lojnave…………… | m2 | 180 |
| l. | WC. Publike (2 WC.je te vilave) | Vende | 12 |
| i. | Siperfaqe pikes sherbimit…………. | m2 | 48 |
SEKTORI GJELBERIMIT
Ingj. (Vladimir Shkembi)
[Firma]
DREJTORI:
(Fahri Golemi)
[Firma]
NDERMARRJA KOMUNALE SHERBIMEVE DURRES





