Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës (SHRUKD) ka reaguar pas pamjeve virale ditën e sotme nga Gjiri i Lalzit, ku shihej një masë uji me ngjyrë të errët që derdhej në det dhe përhapej përgjatë bregdetit. SHRUKD sqaron se hidrovori Hamallaj, i pozicionuar rreth 1 km larg vijës bregdetare, gjatë periudhës së verifikimit ka qenë i mbyllur dhe pa shkarkime aktive drejt detit. Nga verifikimet e kryera në terren, rezulton se ngjyrosja e errët e ujit është shkaktuar nga baltë, llumra dhe sedimente të akumuluara në kanal, të cilat janë përzier dhe transportuar drejt vijës bregdetare si pasojë e lëvizjes së ujit nga baticat dhe zbaticat.

Gjatë ditëve të fundit, erërat e forta dhe dallgëzimi i shtuar kanë rritur forcën e dallgëve, duke mundësuar depërtimin e ujit në brendësi të kanalit. Si pasojë, sedimentet e akumuluara janë trazuar dhe transportuar drejt detit, duke krijuar një përqendrim të sedimenteve në pezulli, të cilat kanë shkaktuar ngjyrosjen e errët të ujit.

SQARIMI I PLOTË NGA SHRUKD:

NJOFTIM PËR MEDIA

Mbi problematikën e grykëderdhjes së kanalit në Hidrovorin Hamallaj

Në orët e mëngjesit, në zonën e plazhit të Hidrovorit Hamallaj, është konstatuar një ngjyrë e errët e ujit në një segment të vijës bregdetare.

Hidrovori Hamallaj, i pozicionuar rreth 1 km larg vijës bregdetare, gjatë periudhës së verifikimit ka qenë i mbyllur dhe pa shkarkime aktive drejt detit.

Nga verifikimet e kryera në terren nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës (SHRUKD) rezulton se ngjyrosja e errët e ujit është shkaktuar nga baltë, llumra dhe sedimente të akumuluara në kanal, të cilat janë përzier dhe transportuar drejt vijës bregdetare si pasojë e lëvizjes së ujit nga baticat dhe zbaticat.

Gjatë ditëve të fundit, erërat e forta dhe dallgëzimi i shtuar kanë rritur forcën e dallgëve, duke mundësuar depërtimin e ujit në brendësi të kanalit. Si pasojë, sedimentet e akumuluara janë trazuar dhe transportuar drejt detit, duke krijuar një përqendrim të sedimenteve në pezulli, të cilat kanë shkaktuar ngjyrosjen e errët të ujit.

SHRUKD sqaron se nga verifikimet e kryera në terren nuk është konstatuar prani e ujërave të zeza në zonën e evidentuar.

Rezidencat që shtrihen në këtë zonë janë të lidhura me rrjetin e kanalizimeve, përmes të cilit ujërat e ndotura përcillen drejt Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura Lalëz, ku i nënshtrohen procesit të trajtimit përpara shkarkimit në det.

Theksojmë se Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura Lalëz është në funksionim 24 orë në 24, duke garantuar trajtimin e vazhdueshëm të ujërave të ndotura të përcjella në impiant.

Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës vijon monitorimin e situatës dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe garantimin e kushteve të përshtatshme në zonën bregdetare.

Foto nga Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura, Lalëz.