Të paktën 12 persona kanë humbur jetën e 10 të tjerë janë plagosur rëndë, pasi një autobus polak u përmbys në një autostradë në verilindje të Hungarisë.
Aksidenti ndodhi gjatë orëve të para të së dielës, në autostradën M3, mes Mezőkeresztes dhe Mezőnagymihály. Autobusi doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal anësor.
Ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje dhe nisën menjëherë operacionin e shpëtimit. Për shkak se disa pasagjerë kishin mbetur të bllokuar brenda autobusit dhe disa të tjerë nën të, zjarrfikësit u detyruan të hynin përmes dritareve të mjetit.
Kryeministri hungarez Péter Magyar konfirmoi bilancin tragjik, duke thënë se 12 persona humbën jetën dhe të paktën 10 u plagosën rëndë. Ai shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe falënderoi ekipet e emergjencës për punën e tyre.
Edhe autoritetet polake kanë konfirmuar aksidentin dhe kanë deklaruar se janë në kontakt të vazhdueshëm me palën hungareze për të mbledhur më shumë informacion.
Presidenti polak Karol Nawrocki u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe të afërmve të tyre. Ndërkohë, drejtuesi i autobusit është ndaluar nga policia. Shkaqet e aksidentit janë ende nën hetim.





