Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë sot në konferencë për shtyp ku ka folur për zhvillimet e fundit në vend.
Berisha komentoi arrestimin e të shumëkërkuarit Ylli Zalla, për të cilin tha se u vetëdorëzua dhe se nuk ishte zotësia e policisë ajo që e çoi atë në pranga.
“Një i shumëkërkuar, Ylli Zalla, i vendosin tritol në banesë dhe bën konferencë shtypi para shtëpisë së rrënuar nga tritoli. Akuzon policinë si autore e mundshme e tritolit.
Lamallari mashtron qytetarët, thotë se e arrestuan, ndërkohë Zalla u dorëzua vetë. Se si mund të ketë dorëzim tjetër se sa të dalë në konferencë shtypi, vetëm mendja bosh e Lamallarit mund ta cilësojë arrestim. Ai u dorëzua”, tha Berisha.
Kreu i PD foli dhe për të ndjera ngjarje të kronikës të ndodhura së fundmi, duke thënë se Shqipëria është totalisht në duart e krimit.
“Këto ditë u provuan shqiptarëve se vendi është totalisht në duart e krimit. Në Sarandë, ai që duhet të luftojë krimin, shkon në diskotekë dhe në akte të palejueshme shqetëson qytetarët në lokal, detyron badigardët ta nxjerrin si një rrugaç jashtë lokalit dhe pastaj vërsulet policia kundër tyre.
Në Elbasan, siç e patë ju, ditën për drekë, para kamerave, para gjithë qytetarëve, vrasësi i vendos pas kokën tytën e revoles viktimës, pa asnjë lloj hezitimi apo shqetësimi. Pas arrestimit, fillon përbaltja edhe e kriminelit, edhe e viktimës, në përputhje me doktrinën ‘kokën t’i hanë njëri-tjetrit”, tha Berisha.
Kreu i demokratëve tha se situata me zjarret nuk po menaxhohet aspak si duhet ndërsa akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për keqtrajtim të forcave zjarrfikëse, të cilëve nuk u është alokuar asnjë shpërblim.
“Ndërkohë, zjarret në të katër anët, në tërësi janë jashtë kontrollit. Trajtimi i zjarrfikësve dhe punonjësve të angazhuar në shuarjen e flakëve të zjarrit, është cinik, i pashpirt. Asnjë qindarkë nga premtimet, dhe që i meritojnë, të shtesave për vështirësitë e mëdha përballë zjarrit, atyre gjer sot nuk u është dhënë.
Asnjë prapavijë mbështetëse për punën tmerrësisht të vështirë dhe të rrezikshme që bëjnë, nuk kanë. Ndërkohë, Rama dhe ministrat e tij bronzohen në diell, në plazhet më turistike të vendit. Pra, një shtet mafioz pa ligje, që funksionon i tëri në duart e krimit”, tha Berisha.





