Në Manzë ka nisur puna për ndërtimin e markatës, një projekt i rëndësishëm për zonën, që është shumë më tepër se një hapësirë e re tregtimi.

Markata është pjesë e një strategjie më të gjerë për zhvillimin rural të kësaj njësie administrative, në zemër të një zone me potencial të madh bujqësor dhe blegtoral. Ajo do të shërbejë si një pikë qendrore me kushte të strukturuara për mbledhjen, tregtimin, shpërndarjen dhe promovimin e prodhimeve ushqimore vendase, duke krijuar më shumë mundësi për fermerët dhe prodhuesit e zonës dhe duke i dhënë më shumë vlerë punës së tyre.

Pritet që punimet të zgjasin 6 muaj, pra të përfundojnë në muajin shkurt 2027. Ndërkohë “DurrësLajm” sjell disa informacione të tjera mbi projektin e markatës, bazuar në të dhënat zyrtare të publikuara në faqen e prokurimeve.

Operator Ekonomik Kontraktues: GRIALD shpk – VLLAZNIMI shpk
Oferta fituese: 22 292 763 lekë pa TVSH
Kohëzgjatja e kontratës: 6 muaj

Objekti i Tenderit: Ndërtim i markatës, në Njësinë Administrative Manëz

Burimi i financimit: Në mbështetje të Vendimit të Këshillit Bashkiak nr.115, datë 24.12.2024 “Për Miratimin e Programit Buxhetor Afatmesëm 2025-2027 dhe detajimin e buxhetit të bashkisë Durrës për vitin 2025. (Bashkëfinancim i Bashkisë Durrës + Buxheti i Shtetit)

Kryebashkiakja Sako ka publikuar pamjet nga kantieri i ndërtimit, teksa thekson se ky investim pritet të sjellë më shumë rregull, standarde, siguri ushqimore dhe një hapësirë dinjitoze për komunitetin, duke kontribuar edhe në përmirësimin e estetikës urbane.