Banorët e Patosit janë ngritur paraditen e sotme për të dytën herë në protestë për të kundërshtuar propozimin e Partisë Socialiste për hartën e re territoriale, ku parashikohet shkrirja e Bashkisë Patos me atë të Fierit.

Me pankarta në duar, folësit kanë kërkuar njëzëri heqjen dorë nga ky projekt. Ata kanë kërkuar njëzëri që Kryeministri Rama të rishikojë këtë propozim, pasi Patosi është qytet me identitet dhe histori, teksa kanë theksuar se edhe performanca e bashkisë renditet ndër më të mirat në vend.

“Duhet të bëjnë për mbrojtjen e bashkisë së Patosit se i ka plotësuar të gjitha kushtet. Kjo bashki ze vendin e 4 për investime në krahasim me bashkitë e tjera”, tha një banor.

Mazniku nuk mund ta realizojë këtë propozim pa u konsultuar me ne, kanë thënë banorët, pasi ai nuk e njeh historinë e qytetit të naftëtarëve.

Ata kanë argumentuar se, nëse Patosi i bashkohet Fierit, do të humbasin të gjitha shërbimet, duke ua vështirësuar jetën e përditshme, ndërsa kanë theksuar se ekziston edhe rreziku i shkrirjes së shumë institucioneve.

Protestuesit kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave, teksa kanë shprehur vendosmërinë për ta kundërshtuar deri në fund këtë propozim të mazhorancës. Ndër të tjera, ata kanë kërkruar prezencën e Ramës për të diskutuar nga afër për këtë çështje.