Prej disa vitesh, banorët që jetojnë rreth e qark ish-parkut të autobusëve në Durrës bashkëjetojnë me erën e rëndë dhe rrezikun që mbart niveli i lartë i ndotjes ambientale, që shkaktohet nga mbetjet urbane, të cilat depozitohen në territorin e pikës së përkohshme të grumbullimit.
Situata sipas tyre është bërë e patolerueshme dhe për këtë arsye, ata zhvilluan sot një protestë, madje tentuan të bllokojnë edhe hyrjet e kamionëve në këtë pikë.
Në këtë pikë grumbullohen plehrat e mbledhura në venddepozitime të ndryshme të qytetit, nga mjetet e vogla të Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal. Sipas banorëve, mbrëmjen e së mërkurës janë evaduar sasi të mëdha mbetjesh nga mjetet e bashkisë dhe shkak sipas tyre është bërë protesta e paralajmëruar e tyre.
Për rreth 300 familje që jetojnë pranë kësaj pike të përkohshme grumbullimi, jetesa është bërë e pamundur. Madje edhe ecuria e sipërmarrjeve private, vihet në diskutim për shkak të nivelit të lartë të ndotjes, siç na rrëfen pronari i disa apartamenteve që i lëshon me qira ditore për të huajt.
“Të gjitha komentet që lënë, pasi ikin janë ankesa për erën e rëndë. Për të tjerat janë shumë të kënaqur”,- thotë ai.
Në një kohë kur propagandohet për një kujdes të shtuar për një qytet të pastër nga institucionet lokale, realiteti që ka përditë para syve komuniteti i kësaj zone flet shumë qartë për rrezikun, që i kanoset nga ky hot spot ambiental në mes të një zone të banuar.
M.B.





