Një skenë kujtimesh, emocionesh dhe tingujsh, që kanë shoqëruar breza të tërë në Durrës, të cilët hitet e festivalit të Sanremos i kishin kolonë zanore të rinisë së tyre.

Pikërisht këtë përfaqësonte koncerti “Nostalgjia e Sanremos”, që u mbajt mbrëmjen e së martës në sheshin “Veliera”.

Në vitet e regjimit komunist, festivali i Sanremos përfaqësonte një dritare drejt Evropës për breza të tërë durrsakësh. Edhe pse ndjekja e tij ishte e ndaluar dhe mund të rrezikoje dënimin nga regjimi i kohës, të rinjtë mblidheshin fshehtas për të dëgjuar hitet më të bukura të muzikës italiane.

Ata i kujtojnë me nostalgji ato vite dhe muzika e këngëtarëve të famshëm të asaj kohe vijon t’i shoqërojë edhe sot.

Për rreth një orë e gjysëm, publiku i pransishëm në shesh shijoi live performancat e 6 këngëtarëve të rinj, që kënduan disa prej hiteve më të suksesshme ndër vite si “Questo piccolo grade amore”, “Insieme”, “24 mila baci”, “La solitudine” etj.

Në pjesën më të madhe të rasteve, interpretimit të këngëtarëve në skenë iu bashkangjit edhe interpretimi i publikut në shesh, që këndoi pa pushim repertorin e përzgjedhur me mjaft kujdes nga organizatorët. Për të pranishmit, kjo natë ishte një dedikim i bukur për muzikën e mirë që për vite me radhë shoqëroi kujtesën e mijëra të rinjve e të rejave të Durrësit dhe jo vetëm.  

M.B.