Sheshi “Liria” në Durrës u kthye mbrëmjen e së enjtes në një skenë ndërkombëtare që solli për artdashësit më të mirën e folklorit të 6 grupeve nga vendeve të ndryshme evropiane.

Bulevardi “Epidamn” u pushtua nga veshjet tradicionale popullore të grupeve nga Letonia, Polonia, Rumania etj, të cilët pas paradës në qytet u ngjitën në skenë për të përcjellë për publikun më të mirën e këngëve dhe valleve tradicionale të vendeve të tyre.

Festivali ndërkombëtar folklorik “Durrës Fest”, një aktivitet që organizohet nga World Festival Association (WOFA) është kthyer në një traditë të bukur në Durrës, që përsëritet çdo vit.

Qyteti bregdetar kthehet kështu në një skenë të madhe të kulturës dhe traditës dhe në një pikëtakim të kulturave të ndryshme. sirnkon

“Këtë herë kemi grupe të reja që vijnë nga Evropa për të prezantuar kulturën e tyre, por njëkohësisht për të mësuar më shumë për kulturën dhe traditën shqiptare. Sot kemi në Durrës grupe nga Letonia, Rumania, Polonia, Bullgaria etj. Do të krijohet një atmosferë fantastike. Do jemi këtu edhe më 31 gusht me grupe të tjera, që do të prezantojnë folklorin e tyre”.– thotë për “DurrësLajm”, organizatori Zoran Strezovski.

Përmes këtyre aktiviteteve synohet forcimi i miqësisë dhe mirëkuptimit mes popujve, duke bashkuar në të njëjtën skenë grupe folklorike, kore, banda frymore, orkestra dhe artistë të zhanreve të ndryshme të vallëzimit.

M.B.