Për banorët e një blloku pallatesh në lagjen nr.4 të Durrësit, mëngjesi i kësaj të premteje nuk ishte i zakontë.

Gjetja e një objekti të dyshimtë në rrugë, shumë afër banesave të tyre, i vuri në alarm, për më tepër që policia vendosi perimetrin e sigurisë në një hapësirë të konsiderueshme dhe urdhëroi ndalimin e qarkullimit të mjeteve dhe këmbësorëve.

Ishte një telefonatë e një qytetari, ajo që vuri në lëvizje efektivët, të cilët gjetën në rrugë një aparat celular të lidhur me një sasi të vogël lënde plasëse.

Në vendngjarje mbërritën dhe specialistët xhenierë të RENEA-s, të cilët kryen veprimet e nevojshme dhe bënë të mundur çaktivizimin e lëndës plasëse, që ishte lidhur me aparatin celular. Në këtë mënyrë u eliminua çdo rrezik i mundshëm për shpërthimin e eksplozivit.

“Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit”,- bën të ditur policia e Durrësit.

Deri më tani, në polici nuk ka persona të shoqëruar lidhur me ngjarjen, ndërkohë që po këqyren kamerat e sigurisë në zonë për të identifikuar personin që dispononte celularin me lëndë plasëse, si dhe për të zbardhur të tjera detaje të rëndësishme lidhur me hetimin.

M.B.