Lojërat fëminore në hapësira të gjelbëra ose kënde lojërash i kanë zëvendësuar me argëtimin mbi tombinot, që prej më shumë se një viti u kanë zënë fushën pranë shtëpive të tyre.

Nuk kanë asnjë hapësirë tjetër, se ku mund ta kalojnë kohën e lirë.

Prindërit dhe gjyshërit e tyre, banorë të zonës së Spitallës, u ngritën në protestë për këtë problematikë, por edhe të tjera që shqetësojnë këtë komunitet.

Infrastruktura e rrugës “Gjergj Balsha”, e shtruar një vit më parë është dëmtuar ndjeshëm përgjatë gjithë segmentit, ndërsa mos zëvendësimi i tombinove të 2 kolektorëve që përshkojnë këtë zonë rrezikon të përsërisë përmbytjet e fillim vitit, kur ujërat pushtuan katet e para të më shumë se 300 familjeve që banojnë në këtë zonë.

Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të banorëve dhe letërkëmbimit mes bashkisë dhe ndërmarrjeve në varësi problematika nuk ka marrë zgjidhje, madje në disa vende tombinot janë të hapura dhe lehtësisht të dallueshme.

Banorët kërkojnë ndërhyrje nga institucionet shtetërore para nisjes së stinës së shirave për të mos rrezikuar përmbytjen e radhës, në të kundërt kërcënojnë se do të bllokojnë rrugën kryesore.

Të ardhur vite më parë nga zona të ndryshme të vendit, banorët ngritën shtëpitë e tyre në lagjen nr.15, në kërkim të një jetese më të mirë.

Por taksat lokale që paguajnë rregullisht nuk u përkthehen në shërbimet më bazike si kanalizime funksionale, infrastrukturë rrugore apo hapësira të gjelbëra.

M.B.