Jemi zyrtarisht në stinën e vjeshtës dhe rënia e numrit të pushuesve përgjatë vijës bregdetare është e dukshme. Pavarësisht temperaturave shumë të larta për fillimin e shtatorit, largimi i pushuesve ka nisur të ndihet në strukturat hoteliere në Plazhin e Madh.

Për kreun e Unionit Turistik për Durrësin, Blerim Norja sezoni veror nuk ka qenë në pritshmëritë e strukturave akomoduese, për shkak të rezervimeve të pakta në muajin korrik.

Ndërkohë, larg pritshmërive të fillim sezonit veror kanë qenë bizneset që operojnë në fushën e shërbimeve si bare, restorante etj.

Sipas kreut të Unionit Turistik, protestat, rënia e ndjeshme e kursit të euros por edhe reklamimet jo të mira në media ndërkombëtare për Shqipërinë kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në uljen e numrit të pushuesve përgjatë kësaj vere, që sapo lamë pas.

Zgjatja e sezonit deri në fund të tetorit pritet të jetë një shans i mirë për sektorin e turizmit për të rikuperuar humbjet.  

Në një kohë që mungojnë shifrat zyrtare për numrin e turistëve të huaj që kanë zgjedhur të kalojnë disa ditë pushimi në qytetin bregdetar nga janari deri në gusht, operatorët turistikë kanë nisur të mendojnë për përmirësimin e ofertës turistike, për të qenë konkurues vitet e ardhshme me vendet e rajonit.

M.B.