Shoqatat e gazetarëve vijojnë me kundërshtitë për rregulloren e re të GJKKO-së qe futet në fuqi nga sot, duke sjellë kufizime të forta për mediat, deri te ndalimi i përdorimit të telefonave dhe regjistruesve nga gazetarët brenda në sallën e gjyqit. Shoqatat e gazetarëve paralajmërojnë se do të përdorin të gjitha mjetet për ta kundërshtuar dhe zhbërë atë, duke theksuar se rregullorja e re e GJKKO-së censuron median.

Ne mbetemi të gatshëm për bashkëpunim dhe dialog konstruktiv, por do të përdorim të gjitha mjetet për ta atakuar këtë vendim”, deklaroi Asociacioni i Gazetarëve.

“Jemi të vendosur për ta zhbërë këtë. Kemi të bëjmë me rregullore dhe jo me ligj, një rregullore mund të rishqyrtohet kur ka të bëjë me cedime të tilla”, tha Aleksandër Çipa kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në një intervistë për Report Tv, ndërsa i bëri thirrje drejtuesit të GJKKO-së, Erion Bani që të rishqyrtojë rregulloren dhe të marrë në konsideratë edhe propozimet e bëra nga komuniteti i medias.

Sipas Çipës, rregullorja nuk është vetëm censuruese, por bie ndesh edhe me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi dhe krijon një precedent të rrezikshëm për të drejtën e informimit. Ai paralajmëroi përshkallëzim të reagimit edhe përmes organizatave ndërkombëtare të gazetarëve.

“Rregullorja që ka vendosur GJKKO është jo vetëm censuruese, por është ceduese me kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Do atakohet jo vetëm nga komuniteti ynë profesional, por edhe nga grupe të tjera të interesit qytetar dhe të drejtës ligjore. Kjo rregullore krijon një precedent të rrezikshëm.

Edhe pse ne u përballëm dhe po përballemi me një padëgjueshmëri nga kjo gjykatë, përpjekja dhe reagimi jonë do jetë i përshkallëzuar. Do kemi reagime nga rrjete dhe organizata të tjera ndërkombëtare të gazetarëve, për këtë precedent antiligjor. Do të këmbëngulim që të kemi reagime të menjëhershme nga hierarkia e drejtësisë”, tha Çipa.

Ai kundërshton masat censuruese, nga ndalimi i përdorimit të celularit dhe regjistruesve në sallën e gjyqit, ndalimi i kamerave, rotacioni i gazetarëve kur sallat nuk kanë vende të mjaftueshme, apo edhe detyrimi për tu regjistruar 24 orë para për të ndjekur një seancë gjyqësore.

“Nuk ka arsye përse të vendosen kritere të diskrecionit profesional të mos lejimit. Aty ka nonsense procedurale dhe juridike, aty thuhet se janë të hapura seancat, por nga ana tjetër vendosen kufizime për prezencën e gazetarëve dhe operatorëve. Dhe regjistrimi 24 orë më parë nuk është gjë tjetër vese kleçkë kufizuese.

Rotacioni i vendeve? Hipokrizi. Aty janë të përcaktuar se kush janë të interesuarit, janë familjarët e palëve dhe mbrojtja, mjedisi është gjithmonë i kufizuar. Krijimi i një precedenti për rotacion, është mishërimi i censurimit”, vijon Çipa.

Kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë thotë se këto kufizime i heqin publikut mundësinë për të pasur një pasqyrë të plotë të asaj që ndodh brenda Gjykatës së Posaçme.

E konsideroj qëllim për të ruajtur fshehtësinë, për të mos u përballë me recencat ditore për çdo procedurë. Dhe për t’i hequr mundësinë publikut për të pasur pasqyrë reale me zë dhe me figurë për atë që ndodh aty brenda. Rregullorja cedon me kushtetutën dhe me legjislacionin tonë në fuqi”, thekson ai.

Pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga organizata vendase e të huaja për rregulloren e re të GJKKO-së, ajo ka hyrë sot në fuqi pa asnjë ndryshim apo reflektim, në mënyrë që të siguronte një mjedis të lirë dhe profesional për mediat.

Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka shprehur keqardhje e zhgënjim për hyrjen në fuqi të rregullores së re të GJKKO-së në shpërfillje të të gjitha reagimeve të bëra më herët nga gazetarë e organizata të medias.

Sipas Asosacionit, dialogu, i cili ishte kërkuar para hyrjes në fuqi të rregullores, është ende i mirëpritur, por vendimi i Gjykatës së Posaçme do të sulmohet me çdo mjet.

AGSH thotë se e vlerëson rolin dhe përgjegjësinë e GJKKO-së, por duhet të ketë harmonizim me të drejtën e medias për të raportuar dhe informimin e publikut.