Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka mbledhur këtë të enjte ministrat dhe grupin socialist.
Rama e ka cilësuar “Pasqyrën Albania” si një hapësirë ku qeveria do të jetë tërësisht e pranishme, ndërsa ka theksuar se në të duhet të përfshihen edhe dy pushtetet e tjera, ekzekutivi dhe gjyqësori.
“Pasqyra Albania do të jetë një hapësirë ku qeveria do të jetë tërësisht aty, por patjetër që e mira e do që te Pasqyra Albania të jenë dhe dy pushtetet e tjera. Kjo është një vendimmarrje e tyre.”
Duke shpjeguar funksionin që synon t’i japë platformës së re, Rama është ndalur te mënyra se si qytetarët marrin sot informacion nga portalet institucionale. Sipas tij, qytetari shpesh lihet të kërkojë vetë informacionin dhe të kuptojë vetë ecurinë e një procesi.
“Me fjalë të tjera, për t’u kthyer te portali dhe portalet, e kam parasysh këtu jo portalet mediatike, por institucionale, sot të vendosin informacion dhe e lënë qytetarin të gjejë çfarë të mundet dhe të kuptojë si të mundet. Pasqyra Albania është një kontratë kushtetuese e qytetarit me shtetin, ku qytetari nuk gjen se çfarë thotë qeveria sot, madje nuk e gjen sot, por gjen çfarë bën qeveria në emrin tim, pse qeveria po bën këtë apo atë duke marrë vendim, gjen kush e ka në dorë këtë apo atë çështje që mua më intereson, mbi cilin ligj dhe dokument unë mund të prodhoj apo konsultoj këtë që më thuhet se bëhet, ku gjendet sot ecuria e procesit, ku bëhet fjalë për çdo proces. Një qytetar sot nuk mund të fajësohet sot pse bie pre e dezinformimit, sepse nuk e ka vetë mundësinë t’i referohet vetë kantierit.”
Kryeministri argumentoi se qytetari duhet të ketë akses te dokumentet dhe procesverbalet për të kuptuar se çfarë ka ndodhur realisht, duke e lidhur këtë edhe me përhapjen e dezinformimit.
“Nëse një portal mediatik i thotë që rruga u shemb sepse u gërrye baza përtej asaj që duhej dhe këtu u bë një krim, qytetari nuk mund të fajësohet për këtë e as nuk pritet që qytetari të ndryshojë mendim, duke bërë nga ana e vet institucionet apo qeveria thjesht një komunikatë. Qytetari duhet të ketë mundësinë që të gjejë me dokumente, jo me muhabete, me procesverbale, jo me komunikata për shtyp, çfarë ndodhi realisht dhe çfarë po ndodh. Kjo e ndryshon tërësisht pozitën e qytetarit dhe i jep një nga të cilat sot i mungon shumë, duke e kaluar nga një kërkues në xhungël në labirintin e pasqyrave digjitale të informacionit, dhe nga një viktimë potenciale e dezinformacionit, në një kapacitet të plotë mbikëqyrësi të punëve, por tek pasqyra mund të gjejë të gjithë bazën faktike.”
Ai ka folur edhe për vështirësitë që has qytetari për të identifikuar institucionin përgjegjës për një çështje të caktuar. Rama theksoi se shteti duhet të ofrojë një adresë të vetme publike ku qytetari të gjejë faktin, dokumentin dhe statusin e një procesi.
“Qytetari sot duhet të bëjë shumë përpjekje dhe shpesh të pasuksesshme për të ditur se cila zyrë mban çelësin e fatit të një çështjeje që lidhet me të. Shteti ka detyrimin të ketë një adresë të vetme publike, për faktin, dokumentin, statusin.”
Gjithashtu, kreu i qeverisë mohoi pretendimet se “Pasqyra Albania” është një përpjekje për të mbuluar një “dështim” të platformës së bashkëqeverisjes. Sipas tij, kjo platformë nuk ka dështuar dhe do të jetë pjesë e “Pasqyrës”.
“Në hamendësimet e bëra thuhet që Pasqyra është një tjetër hap që vjen nga përpjekja për të mbuluar dështimin e platformës së bashkëqeverisjes. Kjo është e pavërtetë, jo vetëm se kjo platformë nuk ka dështuar, por do të jetë pjesë e Pasqyrës, madje do të jetë pjesë. Por çfarë nuk ka bërë dot bashkëqeverisja, do ta bëjë Pasqyra.”
Sa i përket e-Albania, kryeministri sqaroi se platforma do të jetë pjesë përbërëse e sistemit të ri. Ai ka theksuar se të dhënat personale dhe komunikimi individual i qytetarëve do të mbeten të mbrojtura.
“e-Albania do të jetë pjesë përbërëse e Pasqyrës dhe dosja personale, dokumentet individuale, komunikimi vetjak për çështje shërbimesh apo çështje hallesh të një qytetari mbeten të mbrojtura dhe vazhdojnë të kryhen përmes e-Albania, ose në kanalin përkatës ku zgjidhet çështja. Halli personal vazhdon të zgjidhet me dinjitet, por risia është që halli personal nuk mbetet jetim në vorbullën e dizinformimit.”





