Policia ka dhënë informacionin e parë zyrtar lidhur me ngjarjen e regjistruar në një resort në Vlorë, ku pronari i hotelit, Vasil Bedinaj, ka njoftuar se persona të armatosur ishin përfshirë në një konflikt me të dhe i kërkuan 5 milionë euro.

Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja është raportuar rreth orës 11:30. Menjëherë pas marrjes së informacionit, shërbimet policore kanë shkuar në adresën e dhënë dhe kanë ngritur pika kontrolli në zonë.

Gjatë kontrolleve, pranë Pusit të Mezinit, efektivët kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë gjetur tre persona, dy prej të cilëve kanë pësuar dëmtime si pasojë e aksidentit, ndërsa personi i tretë nuk ka probleme shëndetësore.

Gjatë kontrollit në automjet, Policia ka gjetur një armë zjarri tip pistoletë.

Për zbardhjen e plotë të ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë po punon për përcaktimin e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.

Njoftimi i policisë:

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë, si dhe kanë ngritur pika kontrolli.

Shërbimet e Policisë, në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 shtetas, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri, pistoletë.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë.

Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e disa DVP-ve të tjera, po kryejnë kontrolle dhe veprime të tjera, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Meqenëse veprimet janë dinamike, në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim të plotë për ngjarjen.